Ndalohet celulari në Qendrat e Votimit, penalitete për kë shet apo blen votën

Shqipëria

Ndalohet celulari në Qendrat e Votimit, penalitete për kë shet apo blen votën

Më: 24 prill 2021 Në ora: 16:19
Ilirian Celibashi

Nëse do të votosh të dielën për zgjedhjet parlamentare, duhet të mos shfaqesh me celularin në qendrën e votimit, pasi në rast konstatimi do të cilësohet krim zgjedhor. Por komisioneri Shtetëror Ilirian Celibashi nënvizon faktin se KQZ nuk do të bëjë kontroll të votuese në qendrat e votimit.

"Një votues nuk do të lejohet të demonstrojë dhe të futet në qendrën e votimit me telefon. Natyrshëm që askush nuk do ta kontrollojë atë nëse në xhepat e tij apo në çantën e tij apo të saj ka apo nuk ka telefon celularë. Kjo është kategorikisht e ndaluar."

Celibashi paralajmëron çdo qytetar që në rast se do të tentojnë të shesin votën atëherë do të përballen me drejtësinë.

"Si ai që e shet por edhe ai që e blen votën do të ketë penalitete dhe sanksione të rënda."

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë bazën materiale në 92 KZAZ-të e vendit, ndërsa gjatë ditës së shtunë do të shpërndahen në 5199 QV. KQZ ka hasur vështirësi për gjetjen e operatorëve të cilët do të asistojnë identifikimin elektronik.

" Akoma nuk janë të mbuluara me operatorë në zonat rurale, kryesisht në pjesën veriore të Shqipërisë."

"Më dhunoi shefi i komisariatit të Divjakës" Vajza po filmonte live takimin elektoral te PS-se

Pak orë para se shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit, Komisioneri Shtetëror Ilirian Celibashi ka sqaruar edhe njëherë se si votuesit të mund të votojnë për subjektet dhe kandidatët.

"Një votues mund të zgjedhë vetëm partinë politike dhe koalicionin. Mënyra tjetër është duke vendosur shenjën X përbri logos së partisë dhe numrit të partisë. Ndërkohë, mundet të zgjedhë vetëm njërin prej kandidatëve të asaj partie apo atij koalicioni që ai ka zgjedhur. Mënyra e tretë e votimit është ta bëjë shënimin vetëm në një prej numrave që do t'i korrespondojë kandidatit të cilin ai parapëlqen."

Edhe njëherë Celibashi ka garantuar që pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik në njësinë 10 në kryeqytet është i sigurt.

”Pajisja dhe sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk shënjon radhën e votimit dhe kohën e votimit. Ky proces është ndoshta edhe shumë herë më i sigurt se sa procesi i votimit me fletën e votimit."

Çdo qendër votimi do të pajiset me kamera, të cilat sipas komisionerit shtetëror garantojnë sigurinë e procesit dhe ruajnë fshehtësinë së votës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat