Fjalimi i plotë/ Yuri Kim: “Defender 21” sukses ushtarak, ushtarët tanë ndihen si ne diplomatët me kostume

Shqipëria

Fjalimi i plotë/ Yuri Kim: “Defender 21” sukses ushtarak, ushtarët tanë ndihen si ne diplomatët me kostume

Më: 23 maj 2021 Në ora: 14:51
Yuri Kim

Ambasada e SHBA në Shqipëri ka risjellë fjalimin e ambasadores Yuri Kim në ceremoninë e ditës së hapur të stërvitjes “Defender 21” duke e vënë theksin se suksesi i kësaj nisme. Kim u shpreh se shqiptarët dhe amerikanët punojnë së bashku dhe marrëdhëniet që po krijohen mes tyre e tejkalojnë trajnimin ushtarak.

“Kjo Stërvitje është në zhvillimin e sipër dhe po merr trajtën e një suksesi të madh. “Defender 21” ka qenë një sukses ushtarak… Kam pasur mundësinë të vizitoj shumë nga vendet e trajnimit në Shqipëri. Në çdo vendndodhje, gjëja e parë që shoh janë shqiptarë dhe amerikanë, që punojnë së bashku dhe po njihen me njëri-tjetrin.

Marrëdhëniet profesionale dhe vetjake që po formohen tani e tejkalojnë trajnimin ushtarak – ato forcojnë lidhjet tona. Ushtarët tanë në uniformë ndihen saktësisht sikurse ndihemi ne diplomatët, të veshur me kostume, për këtë vend: Ata mrekullohen me bukurinë e Shqipërisë, vlerësojnë mikpritjen e ngrohtë të popullit shqiptar dhe janë krenarë që Shtetet e Bashkuara e quajnë Shqipërinë një mik dhe Aleat”, u shpreh Kim.

Fjala e plotë

President Meta, Kryeministër Rama, Ministra dhe Gjeneralë, Z. Basha, burra dhe gra në uniformë, të dashur miq,

Çfarë dite e bukur për të ekspozuar ushtritë tona dhe Stërvitjen “Defender Europe 2021”, e cila është stërvitja më e madhe ushtarake e udhëhequr nga SH.B.A. që Ballkani Perëndimor ka parë ndonjëherë! Ky është piketë referimi për bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në mbrojtje. Është gjithashtu një moment historik referimi për Aleancën e NATO-s. Kjo Stërvitje është në zhvillimin e sipër dhe po merr trajtën e një suksesi të madh. “Defender 21” ka qenë një sukses ushtarak.

Në javët e fundit, ushtarë nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Kosova, Mali i Zi, Hollanda, Maqedonia e Veriut, Rumania, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë stërvitur së bashku për të forcuar gatishmërinë, aftësitë dhe ndërveprueshmërinë tonë në mënyrë që Aleatët dhe Partnerët e NATO-s të mund të kryejnë çdo mision në tokë, përtej detit dhe në ajër. 

Gatishmëria, aftësitë dhe ndërveprueshmëria jonë garantojnë parandalimin e konfliktit, ruajtjen e paqes dhe mbajtjen e kombeve tona të sigurta. Për më tepër, “Defender 21” ka hedhur bazat për një bashkëpunim edhe më të fortë në vitet në vazhdim. Kam patur mundësinë të vizitoj shumë nga vendet e trajnimit në Shqipëri. Në çdo vendndodhje, gjëja e parë që shoh është shqiptarë dhe amerikanë, që punojnë së bashku dhe që po njihen me njëri-tjetrin. Marrëdhëniet profesionale dhe vetjake që po formohen tani e tejkalojnë trajnimin ushtarak – ato forcojnë lidhjet tona. Ushtarët tanë në uniformë ndihen saktësisht sikurse ndihemi ne diplomatët, të veshur me kostume, për këtë vend: Ata mrekullohen me bukurinë e Shqipërisë, vlerësojnë mikpritjen e ngrohtë të popullit shqiptar dhe janë krenarë që Shtetet e Bashkuara e quajnë Shqipërinë një mik dhe Aleat. Si miq dhe aleatë, ushtarët amerikanë dhe shqiptarë kanë qenë në krah të njëri-tjetrit në konflikte të shumta, nga Kosova në Afganistan, në Irak dhe më gjerë. Dhe e dimë nga ato përvoja që Amerika ka një mike të vërtetë dhe të guximshme tek Shqipëria.

 “Defender 21” hap një rrugë të re entuziazmuese për një bashkëpunim më të madh strategjik. Kjo rrugë do të shohë që ushtarët amerikanë do kthehen në Shqipëri për të stërvitur, për të ndërtuar partneritete dhe për të bërë miq për jetë. Unë besoj se suksesi i “Defender 21” pasqyron angazhimin e udhëheqësve dhe të popullit të Shqipërisë.

 Ne e vlerësojmë që pavarësisht nga dallimet që mund t’i ndajnë njerëzit kohë pas kohe, ju e pranoni që gjendemi në një moment të rëndësishëm në histori dhe të gjithë jeni të bashkuar në marrëveshjen tuaj me ne të gjithë, mbi vlerën dhe rëndësinë e një marrëdhënieje edhe më të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, midis amerikanëve dhe shqiptarëve.

“Defender 21” vjen ndërsa festojmë 30 vjetorin e përfundimit të diktaturës komuniste, fillimin e demokracisë në Shqipëri dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Vjen gjithashtu njëqind vite pasi Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju në kërkesën tuaj të drejtë për një Shqipëri të pavarur. Ne qëndrojmë me ju sot, në mbështetje dhe solidaritet të fortë për një Shqipëri demokratike, të pavarur, të fortë.

 Do të vazhdojmë të qëndrojmë me ju ndërsa ndërmerrni detyrat e vështira, tashmë të nevojshme, për të arritur potencialin e plotë të Shqipërisë.

Këto detyra janë të vështira por nuk janë të pamundura. Edhe nëse do ishin të pamundura, nëse dikush mund të sfidojë vështirësitë, ai është populli shqiptar. Ju e keni bërë këtë herë pas here përgjatë historisë, dhe më duhet të them se jam vërtetë e prekur që jam këtu, në Shqipëri, dhe të shoh drejt sheshit Skënderbej, statujën e heroit tuaj, i cili duhet të jetë një hero për të gjithë ne si një simbol i bashkimit, këmbënguljes dhe vizionit. Jam krenare që jam sot këtu me ju, jemi krenarë që jemi me ju si aleatë këtu sot, nesër, krah për krah, përgjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat