Grabitja dhe dhunimi i çiftit në Lezhë/ Banorët të frikësuar: Policia duhet të jetë prezente për të parandaluar ngjarje të tilla

Shqipëria

Grabitja dhe dhunimi i çiftit në Lezhë/ Banorët të frikësuar: Policia duhet të jetë prezente për të parandaluar ngjarje të tilla

Më: 25 maj 2021 Në ora: 10:40
Gjergj Doçi

Një grabitje me dhunë ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në një banesë në fshatin Spiten të Lezhës.

Dy persona të maskuar dhe të armatosur hynë për të vjedhur në shtëpinë e familjes Doçi, duke dhunuar me sende të forta burrë e grua. Gjergj e Vitore Doçi, përkatësisht 57 dhe 47 vjeç, u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, por si pasojë e plagëve të marra gruaja ndodhet në gjendje më të rëndë dhe u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Në momentin e ngjarjes, brenda shtëpisë kanë qenë 5 pjesëtarët e familjes Doçi, të cilët kanë dëgjuar zhurmë dhe janë zgjuar menjëherë nga gjumi. Kryefamiljari Gjergj Doçi thotë se u ka kërkuar llogari grabitësve, po është përballur me dhunën barbare të tyre duke rënë pa ndjenja.

KRYEFAMILJARI

“Sa isha shtrirë që të flija dhe dëgjova zhurmë. Dolën fëmijët duke bërtitur. Unë kujtova se janë duke bërë shaka se po luajnë. Kur dola, shoh dy veta me maskë e me rroba të zeza. Njëri ishte me armë, tjetri kishte si hekur në dorë. U thashë kush jeni ju, pastaj më goditi me hekur dhe rashë pa ndjenja. Nuk i njoha, ishin me maska, bëra që të çohem, më goditën prapa. Pastaj erdhi gruaja dhe atë e goditen edhe më shumë. Ajo ka marrë shumë dëmtime në kokë dhe po e dërgojnë tani për mjekim në Spitalin e Traumës, në Tiranë. ‘Ku i ke paret më thanë?’, – më thanë. ‘S’kemi lekë’, – u thashë, merrni ça të gjeni. Njëri mbante armen e tjetri kontrolloi gjithçka brenda shtëpisë. Pastaj kanë dalë dhe kanë ikur. Dola jashtë pasi i morën telefonat e lekët. Dola t’i shihja nga ikën. Kaluan avllinë dhe ikën në këmbë, ndërsa nga kanë ardhur dhe me çfarë nuk e di. Policia erdhi na mori në pyetje dhe nuk e di çfarë kanë bërë, por kjo që më ka ndodhur është shumë e rëndë dhe jemi traumatizuar shumë të gjithë si familje”, thotë Gjergj Doçi.

BANORET

Banorë të fshatit tregojnë se ngjarje të tilla u kanë shtuar frikën, ndërsa i kërkojnë Policisë që të zbardhë sa më parë atë çfarë ka ndodhur dhe autorët të vihen para drejtësisë. “E kemi marrë vesh sot në mëngjes atë çfarë ka ndodhur. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe na ka frikësuar shumë dhe ne si fshatarë. Kryefamiljari jeton jashtë dhe ka ca ditë që ka ardhur te familja. Policia duhet të jetë me prezente për të parandaluar ngjarje të tilla sepse në këtë situatë ne jemi të pasigurt”, thotë Nikollë Përgjoka, banor i Spitenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat