Anulimi dhe përsëritja e zgjedhjeve lokale/ Juristi Jordan Daci: Në Shqipëri, të marrë fund periudha e vendimeve jokushtetuese

Shqipëria

Anulimi dhe përsëritja e zgjedhjeve lokale/ Juristi Jordan Daci: Në Shqipëri, të marrë fund periudha e vendimeve jokushtetuese

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 09:37
Jordan Daci

Në Shqipëri, më 23 qershor, Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë ankesën e Shoqatës së Bashkive, që kërkon shpalljen të pavlefshme dhe përsëritjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kundërshtuan mbajtjen e zgjedhjeve, duke i bojkotuar ato. Presidenti Meta anuloi datën origjinale të zgjedhjeve dhe lëshoi një dekret të dytë, kundërthënës, për t’i shtyrë zgjedhjet për në tetor. Zgjedhjet u zhvilluan mes një polarizimi të thellë politik, kur opozita, në një gjest të pashembullt, ishte larguar nga Parlamenti. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, juristi Jordan Daci, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të shoqatës, parashtron disa nga argumentet kryesore mbi të cilat bazohet kërkesa për anulimin e zgjedhjeve. Zoti Daci thotë se ai do të mbrojë argumentin se është Gjykata Kushtetuese institucioni i vetëm që ka të drejtën të shqyrtojë kushtetutshmërinë ose jo të një dekreti të Presidentit. Ai përmendi gjithashtu të tjera argumente të karakterit formal kushtetues sikurse ato që lidhen me garantimin e standardeve të së drejtës për të zgjedhur, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe të Konventës Europiane mbi të Drejtat e Njeriut, përfshirë krijimi i mundësive për të zgjedhur, garantimi i fshehtësisë së votës, si dhe regjistrimi dhe funksionimi i partive politike në përputhje me kërkesat kushtetuese.

Z. Daci, kjo është një prej çështjeve të rëndësishme që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese e ringritur së fundmi. Cilat janë argumentet kryesore me të cilët do të mbroni në Gjykatë anulimin e zgjedhjeve?

Ne kemi disa argumente të cilat ia kemi parashtruar tashmë kësaj gjykate. Një pjesë e këtyre argumenteve janë të karakterit të thjeshtë formal kushtetues në raport me të drejtën se cili institucion e ka të drejtën për të vlerësuar kushtetutshmërinë ose jo të një dekreti dhe ne mendojmë që ka qenë Gjykata Kushtetuese. Së dyti, ka të bëjë me garantimin e standardeve të së drejtës për të zgjedhur, siç përcakton Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Europiane e të drejtave të Njeriut në raport me pasjen e mundësisë për të zgjedhur, garantimin e fshehtësisë së votës si dhe regjistrimin e partive dhe funksionimin e partisë në Republikën e Shqipërisë në përputhje me kërkesat kushtetuese. Këto janë argumentet të cilat ndahen edhe në disa nënargumente dhe ne i kemi parashtruar gjykatës dhe do t’i parashtrojmë gjykatës dhe të paktën diku te rreth 7 ose 8 vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat mendoj se do të na japin të drejtë në kërkimet tona.

Z.Daci, komuniteti ndërkombëtar, Uashingtoni, OSBE-ODIHR, me gjithë kritikat që u kanë bërë zgjedhjeve dhe po citoj këtu që zgjedhjet u zhvilluan pa marrë parasysh interesat e elektoratit. Në këto kushte, votuesve iu mohua e mundësia për të zgjedhur mes kandidatëve, pra gjithsesi nuk i shpallën ato si të paligjshme. Ishte vendim i vetë opozitës për t’i bojkotuar ato. Në këto kushte, çfarë shkeljesh kushtetuese kanë ndodhur që gjykata të vendosë ribërjen e zgjedhjeve?

Komiteti ndërkombëtar është e vërtetë që nuk i shpalli të pavlefshme, por nuk i shpalli as të vlefshme, sepse me të drejtë, duke i imponuar, duke u kërkuar shqiptarëve që të jenë sa më institucionalë, tha se çështja e vlerësimit të rregullsisë së këtyre zgjedhjeve do të jetë pikërisht nga Gjykata Kushtetuese dhe në këtë aspekt, mendoj se ishte një qëndrim i drejtë, duke pasur parasysh problemet që ka pasur Shqipëria me mungesën e respektimit të frymës kushtetuese dhe institucionale nga të gjithë aktorët politikë. Argumentet janë të shumta. P.sh., ne kemi pasur një argument flagrant për sa i përket pjesëmarrjes së Partisë Bindja Demokratike, e cila kur është regjistruar nga KQZ-ja, nuk ka ekzistuar juridikisht si parti. Madje po në të njëjtin arsyetim, në qëndrim të kundërt, KQZ-ja ka vendosur për mospranimin e një partie tjetër.

Nga ana tjetër, ne mendojmë që një institucion që politikisht i kompozuar dhe që sigurisht kishte edhe njëanësinë politike, siç ishte KQZ-ja e vjetër, nuk mendoj se ishte institucioni i duhur për të marrë vendimin mbi vlefshmërinë apo jo të dekreteve, por duhej që kjo gjë të kryej nëpërmjet sistemit gjyqësor. Gjykata Kushtetuese në atë kohë mungonte, por që minimalisht do të duhet të ishte provuar në Gjykatën Administrative të Apelit p.sh.

Nga ana tjetër, të mos harrojmë që një qytetari të thjeshtë, përtej arsyeve që kanë çuar në një situatë të tillë jo të zakontë dhe krejtësisht absurde për një shtet normal siç do të duhej të ishte Shqipëria, i intereson nëse kemi standard apo jo.

Pra një qytetari të thjeshtë fakti që disa parti vendosën të bojkotojnë dhe disa të tjerë zgjodhën që të bëjnë zgjedhje, nuk ia heq të drejtën për të kërkuar nga shteti i vet pikërisht garantimin e standardeve të zgjedhjes dhe problemi tjetër që ne kemi pasur është se dukë qenë se shumica e fletëve të votimit kanë pasur vetëm një kandidat, çdokush që merrte pjesë në ato votime e kishte të deklaruar votën, praktikisht duke mos e garantuar fshehtësinë e saj. Nga ana tjetër, fakti që në zgjedhje merr pjesë një parti e cila nuk ekziston juridikisht dhe nuk është regjistruar, e bën atë një veprimtari jokushtetuese në kuptim të nenit 9 dhe 45 të Kushtetutës së Shqipërisë. Sigurisht që argumentet janë të shumta, qoftë në aspektin procedural, që ka një debat të madh që besoj do të duhet t’i japë zgjidhje Gjykata Kushtetuese për herë të parë, nëse dekreti i Presidentit për caktimin e zgjedhjeve ishte antikushtetues

Vendimi i Presidentit Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve dhe dekretuar një datë tjetër është ende çështje interpretimi, por nëse i referohemi një opinioni të Komisionit të Venecias mbi përplasjet midis Parlamentit dhe Presidentit, ndër të tjerat, thuhet se Presidenti mund t’i ketë tejkaluar kompetencat e tij, duke anuluar dhe shpallur një datë të re zgjedhjesh, por kjo nuk është një shkelje e nivelit për të çuar në shkarkimin e tij. Pra, opinioni i juristëve së Venecias ngre pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e vendimeve të Presidentit. Cili është reagimi juaj?

Po, saktë. Venecia thotë që i mungonte një bazë “Et Hock”, ose e posaçme ligjore, për të shtyrë zgjedhjet, sepse me këtë fakt ajo ka barazuar rastet kur kishte një vendimmarrje politike për shtyrjen e zgjedhjeve, sepse zgjedhje të tjera ka pasur. Por argumenti ynë është ky: që përballë Komisionit të Venecias nuk është parashtruar aspekti i vlerësimit të kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentit dhe se kush duhet ta bëjë një gjë të tillë. Pra, edhe nëse ne do të pranonim nëse dekreti ka pasur tejkalim në ushtrimin e kompetencave, kjo nuk e bën atë të pavlefshëm si akt dhe do të duhej që sistemi ynë do të duhej të gjente zgjidhjen brenda sistemit dhe jo të ishte një zgjidhje jo e zakontë dhe e papritur siç ishte vendimi i KQZ-së për ta konstatuar pavlefshmërinë absolute, e cila edhe nëse do të duhet të ishte siç pretendon KQZ-ja, në fakt Kodi i Proceduarave Administrative nuk ia jepte këtë të drejtë KQZ-së, sepse nuk ishte as organi epror dhe as organi i cili, sipas Kodit të Procedurave, i njihej e drejta, pra kishte mjete juridike për ta zgjidhur. Kështu që argumenti ynë është që ne u qëndrojmë strikte formalisht kërkesave kushtetuese mbi atë se çfarë vlerësohet. Sot këto dekrete, përtej faktit që mund të ketë pasur një tejkalim, janë të dyja në fuqi dhe asnjë nga aktorët nuk ka goditur këto dekrete në rrugë gjyqësore, siç do të duhej të ndodhte.

Si do të duhet t’i përgjigjeshit ju argumentit se anulimi i zgjedhjeve, edhe pse njëra palë nuk do që të marrë pjesë në to, krijon një precedent të rrezikshëm që mund të përdoret nga çdo opozitë dhe në çdo kohë?

Absolutisht që bojkotimi i zgjedhjeve nuk është një gjë e cila këshillohet për një shtet demokratik të së drejtës. Ne e kemi të gjithë ndjeshmërinë e rrezikut që ka kjo gjë dhe keqpërdorimit të mundshëm. Dhe ajo çfarë ne kërkojmë në këtë rast është: jo vlerësim i sjelljes në atë kohë, por vlerësimi në një moment të dytë, duke zhbërë në pasojat që vijnë në të ardhmen dhe jo pasojat e së shkuarës, sepse mendoj që pasojat e deritanishme, edhe pse në mendimin tim kanë qenë antikushtetuese, i kanë shërbyer një interesi, i cili jep një mesazh që në Shqipëri duhet të marrë fund periudha e vendimeve të cilat nuk ndjekin frymën kushtetuese dhe në një farë mënyre, përtej interesit të momentit, cenojnë interesat afatgjata të shqiptarëve. Kështu që rëndësia e këtij vendimi do të jetë sepse gjykata për herë të parë do të japë vendim dhe do të zgjidhë një mori çështjesh kushtetuese të pazgjidhura deri tani në këto momente dhe do të japë një mesazh akoma më të rëndësishëm, që shqiptarët t’i rikthehen të qenët institucionalë dhe këtu bëhet fjalë më shumë për forcat politike dhe që të garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, një prej të cilave është e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur dhe kjo është thelbësore. Pastaj unë do të dëshiroja të fitonte kauza ime dhe e shoqatës, por më e rëndësishme sesa fitorja apo humbja është mesazhi dhe nevoja për t’u zgjidhur kjo çështje nga pikëpamja kushtetuese nga kjo Gjykatë dhe jo të kemi tentativa për të penguar shqyrtimin e kësaj çështjeje nga kjo Gjykatë, e cila nuk përbën asgjë tjetër vetëm si detyrë që na është lënë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ashtu edhe nga Bundestagu gjerman dhe është një kërkesë, sepse ne duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga një situatë krejt absurde, ku asnjë zgjedhje nuk pranohet dhe në asnjë zgjedhje nuk kemi urimet përkatëse. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë standard dhe Shqipëria nuk e meriton këtë politikbërje nga forcat tona politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat