Përjashtimi i medias nga Kuvendi, BE: Keqardhje që nuk pati konsultime

Shqipëria

Përjashtimi i medias nga Kuvendi, BE: Keqardhje që nuk pati konsultime

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 19:31
Ilustrim

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas riorganizimit të gazetarëve në aktivitetin e Kuvendit të Shqipërisë. Në një postim në Twitter, BE në Shqipëri shprehet se dëgjesat publike dhe aksesi i mediave në parlament është tipar i rëndësishëm i një demokracie liberale.

Po ashtu, në reagimin e BE thuhet se është për të ardhur keq që nuk pati konsultime me mediat përpara adaptimit të rregullave të reja nga ana e Parlamentit.

“Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisur në këtë kontekst në vitin 2014.”

Kujtojmë se më herët ka reaguar për çështjen edhe Kuvendi i Shqipërisë, duke sqaruar se vendimi është marrë me qëllimin për të  ndërtuar një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare.

Po ashtu, Kuvendi sqaroi se regjistrimet që do të ofrohen në dhomën ku do të qëndrojë media nuk do të kontrollohen nga një regji qendrore, por nga vetë gazetarët.

Byroja e Kuvendit ka vendosur që gazetarët dhe kamerat e televizioneve të mos lejohen më në ambientet e komisioneve parlamentare. Sipas rregullores së re, kamerat nuk do të lejohen në asnjë rast të hyjnë në godinë, përjashtuar ato raste kur deputeti do të ketë pranuar intervistën.

Gazetarët do të rrinë vetëm në një sallë në katin e parë, ku mund të shohin mbledhjet nga ekrani, por nuk mund të afrohen tek sallat e mbledhjeve, duke i larguar kështu nga ligjvënësit apo ministrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat