A do të arrestohet Arben Kraja?!

Shqipëria

A do të arrestohet Arben Kraja?!

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 21:03
Arben Kraja

Ambasadorja Yuri Kim, mblodhi sot krerët e institucioneve të drejtësisë, në Forumin për Forcimin  e Drejtësisë Penale.

Kërcënimi i sigurisë, është mesazhi i fortë i Shtëpisë së Bardhë.

Në këtë Forum, më e lexueshmja në aparencën e sferave të drejtësisë shqiptare,  është liria për të folur si duhet vepruar, si duhet të jetë ligji, si duhet të bashkëpunohet dhe si duhet të arrestohen “Peshqit e Mëdhenj”.

Para ambasadores janë Engjëj, por sa shkojnë andej nga ‘ndërmarrja’, ndryshon gjithçka.

Pra, edhe sot, si përherë, të gjithë folën mirë, ashtu si duhet.

Por nuk fshihnin dot të vërtetën. Të gjithë ishin të nxirë e me zor disiplinuan zërin që u dridhej para kamerave, që edhe ato, sikur bënin “miza” nga sikleti.

Kjo ka ndodh gjithmonë, ndodhi edhe sot.

E kuptueshme. Gati të tërë që “betohen” për drejtësi, erdhën në pushtet fare trokë, barkthatë, e sot që diskutojnë në këtë tryezë për drejtësi penale kanë aq pasuri, sa nuk ka perendi t’i justifikoi në një shtet me pak banorë, me ekonomi anemike e rroga qesharake.

Më i ndershmi, më i varfëri nga të sistemit të drejtësisë, i ka apo nuk i ka, të paktën gjysëm milioni dollarë pasuri të deklaruar?!

Ne që i kemi formularët e tyre, nuk e gjejmë dot çelësin e logjikës njerëzore për pastërti ekonomike.

Këta mund ta përfundojnë epokën e hajnisë?!

Të detyruar, do të hanë vetveten. Kjo sepse, edhe nëse mund të fshihet sot qasja, edhe nëse mund të aktrohet sikur e duan drejtësinë, pasuria nuk fshihet dot, apo jo?!

Pesha në anën e fajit është më e rëndë se pesha në anën e pastërtisë.  

Po të mos ishte ambasadorja Kim këtu, ndryshe do flitej…

Do qeshej e do thuhej, merruni ju me përralla merruni, se ne jemi milionerë e nuk keni ç’na bëni.  Por jo, sot secili ndjen frikën, më së pari për veten e vet.

Kjo ndodh, pikërisht se Amerika është e vendosur t’u japë fund padrejtësive njerëzore e t’i hapë hapësirë popullit proamerikan shqiptar, drejt shtetbërjes e ekonomisë normale.

Këtej ka çudira.

Njëlloj, siç foli sot Kreu i SPAK-ut Arben Kraja, flisnin pak vite përpara Xhezair Zaganjori apo Bashkim Dedja, njëlloj siç premtoi sot Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, premtonte Adriatik Llalla.

 Siç flisnin të gjithë, flasin të gjithë, për vjeshtë arrestimesh të mëdha!

Por një sugjerim ua japim edhe ju, si një kohë Adriatik Llallës &co.  që janë në derë të burgut.

Ka përfunduar epoka e pandëshkueshmërisë. Kush ka vjedhur, të zërë radhën për në burg, diku pas Fatmira Hajdarit apo  ndonjë tjetri, pse jo edhe pas atyre të SPAK-ut?!/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat