Policia aksion kundër lojërave të fatit, 35 të arrestuar dhe 18 të tjerë nën hetim

Shqipëria

Policia aksion kundër lojërave të fatit, 35 të arrestuar dhe 18 të tjerë nën hetim

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 08:37
Policia aksion kundër lojërave të fatit

Policia ka shfrytëzuar ndeshjet e Euro 2020 për të zbuluar aktivitetet e paligjshme për lojërat e fatit.

Gjatë kohës që luhej ndeshja mes Anglisë dhe Danimarkës, është zhvilluar operacioni i koduar me emrin “Gjysmëfinalja”, ku janë goditur disa lokale që ofronin edhe baste sportive.

Të përfshirë në këtë operacion kanë qenë 1100 punonjës policie nga sektorë të ndryshëm si, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në çdo DVP, Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, Patrullat e Përgjithshme dhe disa grupe të FNSH-së, nën drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Sipas njoftimit të policisë, janë kontrolluar 656 ambiente dyshuese mbi aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, kryesisht në fushën e basteve.

Gjatë kontrollit të ushtruar janë arrestuar 35 persona, ndërkohë 18 të tjerë mbeten nën hetim.

“Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 35 persona, konkretisht 19 persona në Tiranë, 6 persona në Vlorë, 5 në Shkodër, 2 në Durrës, 1 në Bulqizë, 1 në Fier e 1 në Korçë. Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 18 persona, konkretisht 5 persona në Korçë, 3 në Tiranë, 3 në Shkodër, 2 në Vlorë, 2 në Berat, 1 në Elbasan, 1 në Mat dhe 1 në Fier”, ka bërë me dije policia. Ndërsa përsa i përket cilësisë së provave materiale, sipas deklaratës së policisë janë sekuestruar 15 kompjutera, 5 makineta për lojëra fati, 16 tableta që shërbenin për vënie bastesh, 8 tavolina pokeri, 15 DVR, 41 aparate celular, 5 milionë lekë dhe prova të tjera materiale, të cilat shërbenin për veprimtarinë e lojërave të fatit.

Lista e personave të arrestuar

Sipas të dhënave nga policia, në Tiranë janë kapur në flagrancë shtetasit me iniciale: A. Sh., A. Z., S.M., A. D., D. L., B. L., S. M., E. Ç., M. S., I. L., M. Xh., G. G., A. F., G. D., A. Q., H. M., B. H., L. B., dhe F. H. Në Vlorë u arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., K. D., O. Gj., J. Z., M. T., dhe R. H. Në Shkodër u arrestuan shtetasit: N. P., M. F., S. P., I. T., dhe A. D. Në Fier u arrestua shtetasi K. Ç. Në Bulqizë u arrestua në flagrancë shtetasi I. P., pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Ndërkohë në Korçë, u arrestua shtetasi R. B. Ndërsa përsa i përket qarkut Durrës, Policia e Durrësit ka dhënë detaje të mëtejshme mbi të arrestuarit në flagrancë. “Vijojnë kontrollet në zbatim të planit masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shtetasi B. M., 36 vjeç, banues në Durrës, administrator i një lokali në lagjen nr.17, Durrës, gjatë kontrollit në telefonin e tij celular u gjetën disa foto të lotove të sportit. Shtetasi Xh. P., 27 vjeç, banues në Durrës, pronar i një lokali në lagjen nr 17, Durrës, pasi dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit”, njoftoi policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat