Mister X-i i ardhur nga Shqipëria i përfshirë në vrasjen e Magjistratit të Antimafias së Palermos, Paolo Borsellino

Shqipëria

Mister X-i i ardhur nga Shqipëria i përfshirë në vrasjen e Magjistratit të Antimafias së Palermos, Paolo Borsellino

Më: 14 korrik 2021 Në ora: 15:41
Paolo Borsellino

Në përgjimet e Prokurorisë së Palermos shfaqet një Mister X-i, ekspert eksploziv i ardhur nga Shqipëria i përfshirë në vrasjen e Magjistratit të Antimafias së Palermos, Paolo Borsellino.

Në përgjimet e kryera më vitin 2013, me urdhër të Prokurorisë së Palermos, në burgun e regjimit 41 bis, kapo i mafias siciliane Toto Riina flet mbi mënyrën e organizimit të atentatit mafioz të vrasjes së Paolo Borsellinos, e  mes pjesëmarrësve shfaqet dhe një person i ardhur nga Shqipëria e ekspert eksplozivi.

RTV Ora e ORA News zotëron ekskluzivisht këtë dokument ku për herë të parë zbardhet një detaj kaq i rëndësishëm.

Sivjet mbushen 29 vite nga atentati terrorist mafioz i 19 korrikut 1992 në rrugën Amelio të Palermos, ku u ekzekutuan Magjistrati i Antimafias Paolo Borsellini e pesë agjentë të truprojës së tij, 90 kg eksploziv fshehur në një automjet tip Fiat 126 i vjedhur, u hodh në erë me telekomandë pranë banesës ku jetonte nëna dhe e motra e Paolo Borsellinit.

Në këtë përvjetor të trishtë media italiane e Dhomës së Avokaturës Italiane ka publikuar për herë të parë informacionin mbi këto detaje të reja.

RTV Ora e Ora News ka siguruar ekskluzivisht materialin përkatës.

Analiza e dosjes hetimore, përmban përgjimet e kryera ndaj kapo bosit të Cosa Nostra, Toto Riina kur ndodhej nën arrestin me burg në regjimin e rëndë 41 bis, i cili aplikohet për mafiozët e personat e rrezikshëm.

Në përgjimet përkatëse zbardhet ekzistenca e një personi X, pa emër i cili kishte mbërritur nga Shqipëria, ekspert ekspozivi e që ndodhej në arrest shtëpiak në Palermo.

Në përgjimin e datës 6 gusht 2013 e 10 shtator 2013, Toto Riina flet se si kishin organizuar atentatin e vrasjes së Paolo Borsellinos. Gjithcka ishte kryer shpejt brenda 3- 4 ditësh se dikush e kishte kërkuar këtë gjë.

"Ç'dreq, 57 ditë, (koha nga atentati i Capacit ku u hodh në erë dhe u ekzekutua gjykatësi Giovanni Falcone me bashkëshorten e truprojet e tij, e atentati i rrugës Amelia), thotë Toto Riina. Informacionin e gjetëm atje kur i dëgjuam të thonin se cdo të dielë Borsellino shkon tek e ëma. E vendosëm të përgatiteshim, e ta prisnim aty. Atij të " shtyllave të dritës" u thashë të sistemonin... të bënin gjërat gati."

 "Ai i shtyllave të dritës", për Toto Riina ishte mafiozi ende në kërkim nga drejtësia italiane, Matteo Messina Denaro. Thirrej kështu pasi kishte investuar në Green economy, shtyllat e energjisë eolike. 

Ky rrëfim i kapo së kapove tregon se dhe mafiozi Matteo Messina Denaro ka qenë i përfshirë në atentatin e vrasjes së Paolo Borsellinos.

Fjalët e përgjuara të Toto Riinas hedhin dhe një të vërtetë tjetër;  Ekzistencën e një Mister X nga Shqipëria, ekspert i eksplozivit e që kishte qenë i pranishëm në përgatitjen e automjetit që do të hidhej në erë.

"Kur unë them se duhet punuar, duhet punuar, thotë Riina. Duhet të kuptosh se të duhet një vend pranë portinerisë (së pallatit ku banonte nëna e motra e Paolo Borsellinos), duhet të punosh për ta gjetur, të humbësh kohë ta gjesh e ta ruash për të vënë makinën,ndërro vendin... Heq një makinë e vendos atë që të duhet (automjetin me eksploziv),...  pastaj shko e kërko atë që ka ardhur i vetëm nga Shqipëria, shko të gjesh një ekspert si ky", thotë Toto Riina në përgjimet e autoriteteve italiane. Është në arrest shtëpiak në Palermo.... e ky është fat ..".

 Po kush është ky shqiptar ekspert i eksplozivit për të cilin flet Toto Riina?

 Media  e avokaturës italiane hedh dyshimin se mos ndoshta është i njëti person që mafiozi Gasparre Spatuzza, e ka parë në garazhin ku automjeti Fiat 126 u mbush me eksploziv, por që nuk e njihte.

Sipas ekspertëve të Dhomës së Avokatisë Italiane e analistit të tyre Damiano Aliprandi, "për herë të parë duke rilexuar përgjimet e Toto Riinas, identifikoj se flitej për një person që vinte nga Shqipëria. Problemi , është thotë ai se në transkriptimet është harruar analizimi i këtij elementi.

Është një fakt i çuditshëm për të cilin nuk ka më asnjë të dhënë edhe pse kanë kaluar disa vite nga 2013 kur janë kryer përgjimet."

"E për ne thotë ai, kjo është një "anomali gjyqësore".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat