Shqipëria sërish në arbitrazh

Shqipëria

Shqipëria sërish në arbitrazh

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 19:46
Ilustrim

Vendimet e arbitrazhit janë kthyer në një shqetësim serioz për buxhetin e shtetit, e mbi të gjitha për xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Së fundmi, Avokatura e Shtetit ka hapur një tjetër procedurë ku kërkon sërish një tjetër studio ligjore për mbrojtjen e Shqipërisë në një proces arbitrazhi ndërkombëtar.

Në njoftimin e datës 14 korrik të bërë në faqen zyrtare te Avokaturës së Shtetit nuk bëhet e ditur se për cilën çështje arbitrazhi të iniciuar para Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë bëhet fjalë, por vetëm përcaktohet 22 korriku si afati i fundit i dorëzimit të ofertave.

Kjo do të thotë se shteti shqiptar do të përballet me një kërkesë më shumë që mund të rrisë më tej faturën e kripur të arbitrazhit ndërkombëtar në rast se çështja humbet nga pala shqiptare.

Kostot e majme të këtyre çështjeve arrijnë në rreth 450 milionë euro detyrime, nga të cilat peshën më të madhe me 110 milionë euro e zë vetëm çështja Becchetti, për të cilën ministrja e Financave Anila Denaj tha se do të paguhen, pas përgjigjes që do të vijë nga Avokatura e Shtetit.

Por, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë pasi në të nuk përfshihet padia e Arka Energy për parkun fotovoltaik të Karavastasë apo çështje të tjera, apo kamatëvonesa që aplikohen për vonesën e pagesave për këto detyrime.

Vetëm pak kohë më parë qeveria humbi edhe një tjetër çështje ndaj kompanive ‘Actor’ dhe ‘Copri’ për rrugën e Elbasanit me një vlerë prej 45 milionë dollarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat