SPAK kërkon prokurorë, dy emra intervistohen të premten nga KLP

Shqipëria

SPAK kërkon prokurorë, dy emra intervistohen të premten nga KLP

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 22:44
SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intervistojë kandidatët Adnan Xholi dhe Dorina Bejko, që kanë shprehur interesin për t’u bërë pjesë e SPAK, që kërkon të tjerë prokurorë në organikën e vet.

Pas kalimit të fazës së parë dy kandidatët do të intervistohen ditën e premte nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Xholi ka kaluar vettingun gjithashtu edhe Dorina Bejko. Intervistat do të zgjasin rreth 30 minuta për secilin kandidat dhe do të regjistrohen me audio dhe video.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka hapur këtë të enjte aplikimet për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Me qëllim që kandidatët dhe organet përkatëse të kenë kohën e mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore, afati i paraqitjes së kandidaturave do të jetë deri më 3 shtator. Kandidatët duhet të dorëzojnë mes dokumentash edhe formularin e dekriminalizimit dhe deklaratat e pasurisë së të afërmve deri në brez të dytë.

Administrata e Gjykatës së Lartë, brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, do të kryejë verifikimin e kushteve ligjore dhe do të shpallë kandidaturat në faqen zyrtare.

Vendimi për përjashtimin e kandidaturave bëhet nga Komisioni i Kualifikimit pranë Gjykatës së Lartë, i cili përbëhet nga Kryetari dhe 2 gjyqtarë të caktuar me short. Kandidatët e përjashtuar nga Komisioni i Kualifikimit kanë të drejtë të ankohen brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat