Pandemia i “shëndoshi” shqiptarët, tani po nxitojnë të dobësohen

Shqipëria

Pandemia i “shëndoshi” shqiptarët, tani po nxitojnë të dobësohen

Më: 19 shtator 2021 Në ora: 07:27
Ilustrim

Anila Kalleshi, dietologe dhe drejtuese e një qendre dobësimi në Tiranë, u shpreh për “Monitor” se në periudhën e izolimit, shumë njerëz shtuan në peshë, për shkak të ndërprerjeve të aktivitetit fizik dhe faktorëve të tjerë psikologjikë.

Numri i personave që trajtohen në qendrën e dobësimit, nuk ka shënuar rënie, por sipas zonjës Kalleshi, ka qenë në rritje të vazhdueshme, me kërkesa për dieta të personalizuara dhe testin e intolerancës ushqimore.

Si ka qenë tendenca e konsumit të shqiptarëve këto dy vite?

Gjatë periudhës së pandemisë, njerëzit u desh të përballen me rrethana të reja, kategoritë e njerëzve që kanë bërë jetë dinamike dhe që kanë qenë të imponuar të konsumonin ushqime jo të shëndetshme, kërkuan të kishin një regjim krejt të ndryshëm ushqimor, duke e përgatitur në shtëpi.

Njerëzit janë bërë të vetëdijshëm se duhet të jemi në gjendje gatishmërie gjatë tërë kohës që të luftojmë sëmundjet e ndryshme, jo vetëm në këtë rast të pandemisë, por për sëmundje tjera që janë të lidhura ngushtë me ushqimin. Tashmë çdokush e di se ushqimi është baza e një jete të shëndetshme dhe e kundërta baza e një sërë sëmundjesh. Të ushqyerit e shëndetshëm në vazhdimësi, mendoj këtu për të gjitha moshat, në njëfarë mënyre edhe e përgatit trupin tonë, na mbron ndaj të gjitha rreziqeve të jashtme.

A pati ndikim pandemia në ndryshimin e stilit të jetesës?

Padyshim që unë besoj në ndërgjegjësimin e të gjithëve. Vë re se një pjesë e mirë e njerëzve kërkojnë mjaft këshilla për çaje bimore, po përpiqen të krijojnë regjime të shëndetshme ushqimore.

Si shihet e ardhmja e sektorit të dietologjisë në Shqipëri?

Dietologjia ka lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetin tonë. Shëndeti është gjëja më e çmuar që ka njeriu, por, për çudi, në jetën e përditshme ai vlerësohet më pak se shumë gjëra të tjera. Shumica e njerëzve e kuptojnë vlerën e shëndetit vetëm kur e humbasin atë dhe krejt papritmas ndërgjegjësohen për faktin që po nuk pate shëndet, nuk ke asgjë.

Një proverb italian flet më së miri për këtë: “Ai që gëzon shëndet të mirë, është i pasur, edhe pse nuk e di një gjë të tillë”. Megjithëse, sa kohë jemi mirë, rrallë mendojmë për shëndetin tonë, ne kujtohemi për vlerën e tij sa herë na zë gripi apo rrufa, ose sa herë na duhet të zëmë shtratin. Kur sëmuremi, e vetmja gjë që duam është të shërohemi. Asgjë tjetër nuk na hyn në sy!

Shëndeti i mirë është një dhuratë që nuk ka çmim: është diçka që ne e gëzojmë përditë. Përveç kujdesit që duhet të tregojmë për ta ruajtur atë, nuk duhet të harrojmë kurrë që të tregohemi mirënjohës në mënyrë që të vazhdojmë të jemi të shëndetshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat