Zgjatja e vettingut/ KLP: I kemi kapacitetet, Alibeaj: S’janë marrë masat, Bushka: Po intimidoni institucionin

Shqipëria

Zgjatja e vettingut/ KLP: I kemi kapacitetet, Alibeaj: S’janë marrë masat, Bushka: Po intimidoni institucionin

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 12:18
Foto ilustrim

Maxhoranca kërkon shtyrjen e afatit të organeve të vettingut, por a mund ta bëjë këtë proces Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë siç e parashikon Kushtetuta?

Përgjigjia e KLP është “po” duke thënë se i kanë kapacitetet për të bërë vettingun pas 17 qershorit, nëse merret vendimi për shtyrjen e afateve.

“KLP i ka kapacitetet për vettingun, kemi 3 vjet që bëjnë vetting për magjistratët e rinj. Ne vettingojmë 25 magjistratë që hynë në sistem, ne jemi në proces, kemi komision për vlerësimin etik. Po them nuk bëhet fjalë për mungesë kapacitetesh, një këshill 11 veta mund ta gjykojë një gjyqtar e prokuror. KLP çdo vit vjen e shton numrin e studentëve. Kemi bërë diku te 60 e ca studentë për 3 vite sepse aq ka qenë numri i studentëve që kanë hyrë në sistem”, tha zv.kryetari i KLP Alfred Balla.

Një tjetër mendim ka deputeti Enkelejd Alibeaj i cili tha se nuk janë marrë masat për të bërë vetingun pas 17 qershorit.

“Ju nuk keni marrë masat për të zbatuar ligjin, për të bërë vettingun pas 17 qershorit, KLP është treguar indiferente për të kërkuar fondet dhe stafin”, tha Alibeaj.

Në debat ka ndërhyrë kryetarja e Komisioni të Ligjeve, Klotilda Bushka, që ka akuzuar deputetin Enkelejd Alibeaj për intimidim të institucioneve të pavarura.

Debati në komisionin e Ligjeve:

Alibeaj: Ju s’keni bërë kërkesë për buxhet shtesë pasi më 17 qershor i bie të merrni procesin e vettingut të prokurorëve sepse sipas Kushtetutës i mbaron mandati KPK. Ti po thua, mirë me vjehrrën dhe mirë me nusen. Homologu juaj KLGJ ka bërë kërkesë si çdo institucion tjetër. Ata kanë parë që në vitin 2022 ju ndodh një ngjarje, vetingu i gjyqtarëve, kanë marrë masat, kanë bërë studim. I kanë çuar kërkesë qeverisë. KLP, institucioni simetrik në funksione, duhet të jeni simetrik edhe në reagim. Ju vjeni këtu dhe thoni këtë gjë, po desh qeveria të na japë para ne s’kemi bërë kërkesë. Po thoni që skeni marrë masat. Do të thotë një institucion i pavarur si KLP është treguar minimalisht indiferent, neglizhent për të paraqitur kërkesë.

Bushka: Ju tërheq vëmendjen, s’mund ti drejtoheni me këtë gjuhë institucioneve të pavarura, mos i intimidoni institucionet e pavarura. Ju nuk mundeni ta bëni këtë, sepse sapo më tërhoqët vëmendjen mua në influencim përgjigje. S’ju ka ngarkuar ligji të kërkoni si po e bëjnë detyrën ata. s’mund t’u drejtoheni atyre sikur jeni kontrollor.

Alibeaj: Nuk është intimidim, nëse e ndjeni të tillë intimidohuni, pak rëndësi ka! Ajo që po them është se ju skeni bërë kërkesë as për para as për buzhet, ju e keni marrë me mendjelehtësi këtë punë, që është çështja më e rëndësishme në drejtësi sepse sapo thatë që ska prokurorë. Ju thoni po të dojë prokuroria të na i kalojë lekët po sdeshi prapë mirë, kjo është mungesë përgjegjshmërie

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat