Kur do të mbarojë ‘pranvera’ e vjeshtës, shirat nisin në fund të muajit

Shqipëria

Kur do të mbarojë ‘pranvera’ e vjeshtës, shirat nisin në fund të muajit

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 20:46
Ilustrim

Pranvera e pazakontë e këtij nëntori do të vijojë edhe për disa ditë. Temperaturat e larta që kanë shoqëruar të gjithë territorin ditët e fundit, gradualisht do t’u lënë vendin ditëve të ftohta. Në një lidhje me ‘Rudina’, Akil Osmani thotë se nëntori do të vijojë të jetë i thatë deri në 10-ditëshin e fundit të tij, kur pritet edhe të nisin shirat.

“Temperaturat deri në 28 gradë celcius kanë qenë temperatura vere, deri në 8 gradë më shumë se temperaturat tipike të stinës, por në ditët e ardhshme do të kemi një rënie graduale të vlerave termike duke bërë që deri në ditën e premte të rikthehen temperaturat tipike për muajin nëntor, me maksimume 20 deri në 21 gradë celcius në zonat jugore. Po ashtu, edhe vlerat minimale do të kenë një rënie të tyre në zonat malore, duke bërë që minimumet të zbresin deri në 3-4 gradë celcius.

Dita-ditës do të kemi rënie graduale të vlerave termike duke bërë që të kemi rënie me nga 2 gradë celcius, pra një freskim gradual të motit dhe temperaturat do të kenë një rënie graduale të tyre duke bërë që fundjava e ardhshme të jetë fundjavë me temperatura tipike nëntori, por do të shoqërohet me kushte të qëndrueshme atmosferike.

Gjysma e parë e nëntorit do të vijojë të shoqërohet me episode të shkurtra me prezenca të reshjeve të shiut. Edhe në 10-ditëshin e dytë të muajit nëntor, reshjet do të jenë shumë pak prezente, ndërsa në dhjetëditëshin e fundit të këtij muaji reshjet do të jenë më të shpeshta. Parashikohen dy episode që do të sjellin reshje të konsiderueshme në vendin tonë, çka do të sjellë edhe plotësim të kuotave mujore".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat