Me kanabis në makinë, arrestohen tre të rinj, policia i gjen peshoren elektronike me vete

Shqipëria

Me kanabis në makinë, arrestohen tre të rinj, policia i gjen peshoren elektronike me vete

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 11:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Ndalimi i dy automjeteve tip “Ford” dhe tip “Nissan” pas informacioneve që policia kishte marrë, bëri të mundur finalizimin me sukses të një operacioni policor në fushën e narkotikëve dhe çuarjen në pranga të tre personave që transportonin lëndën narkotike.

Në njoftimin e bërë nga policia mësohet se janë sekuestruar 15 kilogramë e 387 gramë kanabis, ndërsa në pranga u vunë tre të rinj.

Ata janë shtetasit: R. D., 29 vjeç, R. N., 20 vjeç dhe P. M., 21 vjeç, banues në Lezhë dhe Mirditë.

Këta shtetas janë ndaluar nga policia në vendin e quajtur “Ura Ushtarake”, në Njësinë Administrative Rubik.

Gjatë kontrollit të automjeteve tip “Ford” dhe tip “Nissan”, me drejtues shtetasit P. M. dhe R. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe 15 kilogramë e 387 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit R. N., pasagjer në njërin prej mjeteve, shërbimet e Policisë i gjetën një peshore elektronike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, peshorja elektronike, 3 aparate celular dhe 2 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat