Si ndodhi vrasja e biznismenit brenda makinës në Laç

Shqipëria

Si ndodhi vrasja e biznismenit brenda makinës në Laç

Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 17:22
Foto ilustrim

Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vrasja e 55-vjeçarit, Rakip Rolit, në Laç, policia ka bërë të mundur arrestimin e dy autorëve të dyshuar për ngjarjen.

Top Channel mëson se të arrestuarit janë Skënder dhe Ilaj Lika. Ata janë prangosur në zonën e Fushë Milotit nga forcat policisë të Komisariatit të Kurbinit.

Në lidhje me ngjarjen është ndaluar dhe një person i tretë, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur. Ai dyshohet se ndihmoi për t’u fshehur babë e bir.

Si ndodhi ngjarja?

Rakip Roli, i njohur më së shumti si Pilot Roli ishte një biznesmen materialesh ndërtimi në zonën e Sanxhakut. Ai u ekzekutua me armë zjarri këtë të premte (10 dhjetor 2021) në një atentat të organizuar vetëm pak metra larg banesës së tij në një fshat të Kurbinit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ora 08:45 në rrugën kryesore të fshatit Sanxhak, në dalje të qytetit të Laçit. Ai është qëlluar disa herë me armë zjarri që dyshohet të jetë automatik dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në vend.

I ndjeri po udhëtonte me automjetin e tij tip “Audi” ku dy persona i kanë ndërprerë rrugën dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa makina ka devijuar në kanalin kullues anash rrugës.

Kush është biznesmeni Roli?

Biznesmeni Rakip Rroli ka qenë i dënuar disa vite më parë për rrahje, ku dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë dhe pas lirimit është marrë me biznes.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2011, ku së bashku me një person tjetër kanë dhunuar me sende të forta një 22-vjeçar, duke e plagosur rëndë pas një sherri për motive banale.

Mësohet se dy djemtë e tij, Emiljano dhe Sokol Rroli, janë personazhe të njohur në botën e krimit, pasi janë akuzuar për trafik droge në vitin 2017. Madje një prej tyre mbeti i plagosur, pasi për të mbërritur sa më shpejt në vendngjarje është aksidentuar me makinë duke u përplasur me një shtyllë elektrike në krah të rrugës.

Rakip Rroli dhe familja e tij kanë disa biznese, përfshirë mjete të transportit të rëndë, si dhe një pikë materialesh ndërtimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat