Dalin detajet e reja nga nxjerrja e armëve në selinë e PD-së: Hapën xhaketat dhe na treguan armët…

Shqipëria

Dalin detajet e reja nga nxjerrja e armëve në selinë e PD-së: Hapën xhaketat dhe na treguan armët…

Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 21:44
Belind Këlliçi

Belind Këlliçi, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, tregoi me detaje se çfarë ndodhi sot në selinë e Partisë Demokratike.

“Rreth orës 12:45, kur shkuam në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, zhvilluam mbledhjen që zgjati rreth 2 orë dhe nuk ka patur asnjë incident. Unë me të rinjtë e FRPD-së shkuam në zyrën e forumit për të bërë një mbledhje. Të treja dyert i kishin bravat e ndërruara. I hapëm me forcë dhe pamë që mua më ishte bastisur zyra. Më janë vjedhur laptopi, USB-ja me gjëra personale, një hard disc dhe është vjedhur madje edhe vula e FRPD-së. Mjaftonte një njoftim për lirimin e zyrës sepse unë kurrë nuk kam pasur asnjë konflikt me askënd në PD. Njoftova policinë. Ndërkohë, persona të armatosur kërcënonin dhe ofendonin të rinjtë që ishin bashkë me mua”, tha Këlliçi.

Kur u pyet se cilët ishin personat e armatosur, Këlliçi u shpreh: Të jem i sinqertë, nuk kam parë asnjë prej personave të stafit të ngushtë të Lulzim Bashës. Ishin njerëz që nuk i njihja, i shikoja për herë të parë. Kanë hapur xhaketën dhe kanë treguar armët. Dua që kamerat brenda selisë të tregojnë se kush ishin ata halabakë të kontraktuar me siguri nga zoti Basha.

Ajo që e ka tërbuar Lulzim Bashën është mospërdorimi i dhunës. Ka tre muaj që gënjen ambasadat se ne do të vinim me armë për të zaptuar selinë e PD-së. Unë kam 11 kallëzime në SPAK, i 12 më ka ardhur sot nga Gazment Bardhi. Kam dy muaj që them se këta i shmangen zgjidhjes politike dhe duan të kapen pas statutit dhe burokracive. Sot janë një pakicë që nuk janë më as relevante në parti. Arsyeja pse janë tërbuar është se Kuvendi Kombëtar kaloi pa dhunë dhe pa incidente. Basha nuk e kupton që po degradon figurën e tij politike”, deklaroi Këlliçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat