Ekonomia u rrit me 6.9 për qind/ Në tre mujorin e dytë rritja ishte rekord 17.9 për qind

Shqipëria

Ekonomia u rrit me 6.9 për qind/ Në tre mujorin e dytë rritja ishte rekord 17.9 për qind

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 19:32
Ilustrim

Ekonomia u rrit me 6.9% përgjatë tremujorit të tretë të vitit sipas Instat krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës, por duke ngadalësuar ritmin e rritjes në raport me tremujorin e dytë kur u zgjerua me 17.9%.

Rritja ekonomike këtë tremujor është udhëhequr nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit që kanë parë një rritje dyshifrore prej 27.7% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Ndikim në zgjerimin e ekonomisë këtë periudhë që përkon edhe me kulmin e sezonit turistik e ka dhënë turizmi me degët e lidhura me të tregtia, transporti, e hoteleria me 13.7% rritje, ndjekur nga taksat neto, ecuria pozitive e industrisë nxjerrëse dhe energjisë që janë rritur me 9.3%.

Në një pjesë tjetër kjo rritje ka ardhur edhe prej shpenzimeve për arsim e veçanërisht për shëndetësinë si pasojë e pandemisë Covid-19 duke dhënë një kontribut prej 6.8% më shumë se një vit më parë, për shkak të shpenzimeve të larta për shërbime shëndetësore.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit nga ana tjetër vijojnë zgjerimin pasi janë rritur edhe këtë tremujor, edhe pse me ritme më të ngadalta se krahasuar me tremujorin paraardhës, ndikuar edhe nga procesi i rindërtimit.
Pas rënies në tremujorin e dytë, duket se bujqësia nga ana tjetër ka shfaqur shenja rikuperimi këtë periudhë duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.2%.

Sa i takon konsumit final të popullatës, që përbën edhe peshën kryesor të shpenzimeve në ekonomi rezulton në rritje me 3.3%, teksa ai i qeverisë sipas të dhënave të Instat u zgjerua me 7.5% në fund të shtatorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat