Gjykata që dënoi Tahirin nis gjykimin në mungesë të Moisi Habilajt! KLGJ cakton treshen e gjyqtarëve që do vendosin faktin e kreut të bandës

Shqipëria

Gjykata që dënoi Tahirin nis gjykimin në mungesë të Moisi Habilajt! KLGJ cakton treshen e gjyqtarëve që do vendosin faktin e kreut të bandës

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 09:43
Moisi Habilaj

I konsideruar si kreu i grupit kriminal, i vënë nën një sërë akuzash në Itali dhe Shqipëri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Moisi Habilaj vijon të jetë në arrati.

Ai iku nga vendqëndrimi i tij, ku gjendej në masë arresti shtëpiak pak ditë para se sa Gjykata e Apelit në Katanja të jepte vendimin për dënimin e tij me 15.5 vite burg. Por ndërkohë që Habilaj mundi të arratisej, ndaj tij u lëshua një urdhër ndërkombëtar kërkimi. Ai nuk është gjendur ende as nga Policia italiane dhe as nga Interpoli, por Moisi Habilaj nuk i ka mbyllur ende problemet e tij as me drejtësinë shqiptare. Edhe pse është në arrati, do të gjykohet nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe Krimit të Organizuar, e njëjta nga ku u dha vendimi i dënimit edhe për Saimir Tahirin.

Sipas të dhënave zyrtare të kësaj Gjykate, bëhet me dije se trupa gjykuese e Apelit përbëhet nga Sokol Ngresi, Margarita Buhali dhe relator është gjyqtari shkodran Fuat Vjerdha. Këta të fundit janë gjyqtarë të deleguar nga KLGJ, për të gjykuar këtë çështje dhe ky fakt mësohet nga një vendim që është marrë ditën e djeshme: “Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e tij mori vendimin nr. 56, datë 09.02.2022, ku vendosi: Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha (relator) si dhe gjyqtarët e Apelit Vlorë, Sokol Ngresi dhe Margarita Buhali, caktohen në përbërje të trupit gjykues për të gjykuar për llogari të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, çështjen penale me të pandehur Moisi Habilajn. Akuza për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 283/a/l e 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal”.

AKUZAT DHE GRUPI

Moisi Habilaj është nën akuzë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Ai u dënua në Itali me 15 vite e 5 muaj burg lënë në fuqi edhe nga Apeli, por ky vendim nuk u ekzekutua, pasi ai u arratis nga banesa ku qëndronte me masë sigurie. Ai ishte në atë masë pasi ishte arrestuar pjesë e operacionit “Venti dei rosi” të Policisë italiane dhe pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Katania, çështja e tij dhe e grupit të tij kaloi në Gjykatën e Apelit.

Ndërsa pritej vendimi, ai u largua nga vendi ku ishte i vendosur në masë arresti shtëpiak, duke mos e pritur Policinë italiane në shtëpi që ta prangoste. Habilaj u largua sot e asaj dite dhe Italia ka lëshuar ndaj tij një urdhër ndërkombëtar kërkimi, urdhër që është sjellë edhe pranë autoriteteve tona, të cilat e akuzojnë Habilajn për të njëjtat vepra penale siç e hetoi dhe e dënoi edhe Italia.

Si në Prokurorinë e Katanias, edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Moisi Habilaj është konsideruar si koka e një organizate kriminale që trafikuan tonelata droge drejt Italisë. Moisi Habilaj në Itali u dënua së bashku me miqtë e tij, Meridian Sulën, Nazer Seitin, Antonino Rielën, Vincenso Spanpinaton, Angjelo Buzakën, Xhanluka Pasavantin dhe Xhuzepe Grekon. Dy shqiptarët e tjerë, Maridian Sulaj dhe Nazer Seiti, përfituan ulje dënimi. Sulaj u dënua me 8 vjet, ndërsa Seiti, që u konsiderua si “ekonomisti” i organizatës, u arrestua në Shqipëri dhe u ekstradua në Itali, u dënua me 6.8 vite burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat