Blegtoria, në situatë dramatike/ Industria e përpunimit të qumështetit kërkon ndihmë nga qeveria

Shqipëria

Blegtoria, në situatë dramatike/ Industria e përpunimit të qumështetit kërkon ndihmë nga qeveria

Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Ministria e Bujqësisë ka zyrtarizuar skemën e mbështetjes për blegtorinë. Sipas skemës, për fermat me 100 deri në 300 krerë dele ose dhi, do të ofrohen 1.200 lekë për krerë. Ndërsa për fermat me 10 deri në 50 krerë lopë, do të jepen 10 mijë lekë për krerë.

Por për Industrinë e Përpunimit të Qumështit, kjo skemë nuk e nxjerr blegtorinë nga kriza.

“Është jo vetëm e pamjaftueshme, por është situatë dramatike që të përballojë atë që po ndodh. Kemi vënë re që ka një ulje të numrit të krerëve të bagëtive dhe të uljes së sasisë së qumështit të prodhuar.”

Nëse qeveria nuk ndërgjegjësohet për situatën në të cilën ndodhet blegtoria, operatorët paralajmërojnë se në vend do të mbizotërojë malli i importit.

“Kjo VKM është e pamjaftueshme, i vendos fermerët shqiptarë në disavantazh, nuk është mbështetëse për sektorin e prodhimit të qumështit. Nëse vijon rrënimi, nuk kemi ku të shkojmë. Do të jetë një situatë shumë e vështirë për industrinë e qumështit sepse importi gjithmonë konkurron.”

Së shpejti konsumatorët mund të përballen edhe me një rritje çmimi për qumështin sepse paketa fiskale shtoi kostot për linjat e prodhimit.

“Kemi 20-30 përqind kosto shtesë. Jemi munduar të bëjmë maksimumin të mbajmë të njëjtat çmimet, por kjo do të jetë e pamundur shumë shpejt dhe do të dalim me çmime të reja në treg.”

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020 numri i gjedhëve ra me 12.7% në raport me një vit më parë, ndërsa sasia e qumështit të grumbulluar pësoi rënie me 14.8%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat