Moskë - Tiranë, replika për shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv

Shqipëria

Moskë - Tiranë, replika për shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv

Më: 17 mars 2022 Në ora: 20:00
Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Kharkiv, e shkatërruar nga sulmet ruse

Tirana dhe Moska shkëmbyen sot replika lidhur me bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv gjatë sulmeve ruse në këtë qytet, i dyti për nga madhësia në Ukrainë.

Ngjarja u denoncua në 7 mars nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë shoqëruar dhe me foto të Konsullatës, e cila ndodhej në katin e parë të një ndërtese disakatëshe, e cila siç mësohet ishte goditur me 3 bomba.

“Shqipëria e dënon me forcë agresionin rus që solli shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët do të mbajnë përgjegjësi”, shkruhej në njoftimin e Ministrisë shqiptare. Konsullata e Nderit e Shqipërisë, është e vetmja përfaqësi diplomatike në Kharkiv.

Image
Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Kharkiv, e shkatërruar nga sulmet ruse

Reagimi i Moskës erdhi vetëm sot, 10 ditë pas denoncimit të palës shqiptare. Në një postim në Twitter-in e Ministrisë së Jashtme ruse shkruhet se Shqipëria “dënoi sulmet e supozuara të ushtrisë ruse që rezultuan në dëmtimin e ambienteve të Konsullatës së Nderit të vendit në Kharkiv” duke shtuar pas kësaj se “ne i hedhim poshtë me forcë akuzat dhe kërkojmë që publiku të informohet saktë”.

Reagimi i Tiranës ishte i menjëhershëm, duke folur për “lajme të rreme” nga pala ruse, ndërsa në Twitterin e Ministrisë së Jashtme shqiptare është publikuar edhe video e ndërtesës së goditur.

“Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”, shkruhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat