Vokshi nga selia e PD: SPAK të hetojë ku ishte Bllako për 12 orë

Shqipëria

Vokshi nga selia e PD: SPAK të hetojë ku ishte Bllako për 12 orë

Më: 2 prill 2022 Në ora: 14:58
Albana Vokshi

Deputetja e PD-së Albana Vokshi përmes një deklarate nga selia blu u shpreh se ish-deputeti Alqi Bllako i lënë sot në burg nga Gjykata, është vetëm një hallkë e çështjes së inceneratorëve. Sipas saj, ideatori është kryeministri, ndërsa i kërkoi që drejtësia ta hetojë.

Ajo kërkon prej SPAK-ut që të hetojë për orët kur ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako nuk po gjendej nga policia për ta arrestuar. Në një deklaratë për mediat, deputetja Vokshi tha se policia ka qenë e urdhëruar të mos veprojë, gjë që sipas saj, tregon frikën për nxjerrjen e fakteve të reja të aferës së inceneratorëve.

Deklarata e Albana Vokshit nga selia e PD:

Fshehja dhe dorëzimi i kontrolluar i Alqi Bllakos për shumë e shumë orë tregon se Edi Rama dhe vartësit e tij në Policinë e Shtetit janë gati të bëjnë gjithccka për të penguar drejtësinë. Fakti që Policia e shtetit me urdhër politik nga Edi Rama luajti lojën e kungulleshkave, tregon panikun dhe tmerrin nga dekonspirimi që mund t’i bëjnë  bashkëpunëtorët e tij, në aferën korruptive të shekullit.   Kur SPAK njoftoi se do të arrestonte deputetin e Ramës për korrupsionin gjigand me inceneratorët, kryeministri, Ministri i Drejtësisë dhe një tabor i tërë me zyrtarë të lartë u betuan për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Por, ajo që ndodhi më pas ishte një skandal i vërtetë, një skemë kriminale që u parandalua vetëm për shkak të reagimit publik.  Në pritje të urdhrit të arrestit nga gjykata, SPAK njoftoi Policinë që të mbante nën mbikëqyrje Alqi Bllakon. Por “çuditërisht”  Policia, për shumë orë, nuk e gjeti Bllakon ndërkohë që me shumë gjasa ai ishte në negociata me Ramën dhe Ministrat e tjerë të zhytur në këtë aferë.

Askush nuk e thotë se ku ishte Alqi Bllako për më shumë se 12 orë. Sipas informacioneve, atij i është kërkuar që të zbatojë rregullin e Omerta-s mafioze, të mbyllë gojën e të mos tregojë shefat e përfshirë në skandalin qindra milionë euro të inceneratorëve.

Qytetarët shqiptarë e kanë shumë të qartë që Alqi Bllako nuk është as koka dhe as bishti i këtij korrupsioni gjigand. Ai është një hallkë, i cili duhet të vuajë pasojat e veprimeve të tij kriminale. Por, a do të ketë mundësi ai të flasë lirshëm. Çfarë porosish, urdhërash apo kërcënime ka marre ne ato ore qe policia po e kërkonte ne drejtim “te paditur”? PD i kërkon SPAK të zbardhë skandalin me policinë politike të shtetit.  Alqi Bllako sot ka mundësinë t’i bëjë një nder vetes dhe Shqipërisë. Të tregojë të gjithë të vërtetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat