Rikthehet Pandeli Majko dhe betohet në Kuvend/ Arrestimi i Alqi Bllakos i hapi rrugë hyrjes në Parlament të ish-ministrit

Shqipëria

Rikthehet Pandeli Majko dhe betohet në Kuvend/ Arrestimi i Alqi Bllakos i hapi rrugë hyrjes në Parlament të ish-ministrit

Më: 11 prill 2022 Në ora: 17:25
Pandeli Majko

Ish-ministri për Diasporën dhe një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste Pandeli Majko është betuar sot si deputet i ri i kësaj legjistature të Kuvendit të Shqipërisë.

Majko mundi të hyjë  në Kuvend pas arrestimit të deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako për aferën e inceneratorëve.

Në zgjedhjet e 25 prillt, Pandeli Majko nuk arriti të thyejë herësin pasi renditej i 19-ti në listën e Qarkut Tiranës, e për pasojë mbeti jashtë politikës aktive. Por, arrestimi i Bllakos nga SPAK i hapi rrugë ish-ministrit për të hyrë në Parlament.

Në Kodin Zgjedhor, konkretisht në nenin 164, pika 2 thuhet: “Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nën përfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nën përfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”.

Në këtë mënyrë Pandeli Majko i rikthehet politikës aktive, teksa ishte tërhequr pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat