Erion Kristo ironizon: Presidenti, lojë e bukur për të hequr vëmendjen nga rritja e çmimeve

Shqipëria

Erion Kristo ironizon: Presidenti, lojë e bukur për të hequr vëmendjen nga rritja e çmimeve

Më: 25 prill 2022 Në ora: 19:35
Erion Kristo

Një aktivist dhe një zë që nuk hesht në asnjë rast,  por po ashtu edhe një nga mendjet më të zgjuara në mesin e intelektualëve të vendit. Erion Kristo, i ftuar në “Rudina” në Tv Klan për të ndarë pak nga eksperienca e tij në 50-vjetorin e jetës, ndalet edhe te një nga çështjet e nxehta të momentit. Zgjedhja e presidentit të ri është tashmë tema kryesore e ditës, por Kristo e quan një mjet për të hequr vëmendjen nga rritja e çmimeve.

Rudina Magjistari: Si po të duken këto ethet e zgjedhjes së presidentit, duket sikur i kanë pushtuar të gjithë po nuk e di sa kanë në dorë për të vendosur?

Erion Kristo: Është një lojë shumë e bukur për të hequr vëmendjen nga rritja e çmimeve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit dhe gjithçka do të bëhet mirë.

Rudina Magjistari: Ti ke ndonjë kandidaturë përveç vetes tënde?

Erion Kristo: Jo, unë nga nga shqiptarët e kam thënë dhe do t’i ngelem, që dua vetëm dy gjëra, një gjysmë buzëqeshje në rrugë, një gjysmë që të mos harxhohen dhe e dyta të mos me shtypin me makinë se e kam shumë bezdi.

Në shtjellimin e idesë së tij për zgjedhjet presidenciale, Kristo thekson se nuk ka rëndësi gjinia, por vlerat dhe kontributet e personit që do zgjidhet.

Rudina Magjistari: Një kandidat për president, kë do sugjeroje ti, cili mendon që do ishte i përshtatshëm?

Erion Kristo: Unë nuk dua të hedh pagure me benzinë në zjarr, se e kam zakon që hedh pagure me ujë për ta fikur zjarrin, por do doja që presidenti i republikës të ishte një njeri që mua më flet. Më flet në botën e dijes, kulturës, shkencës, mirësisë, patriotizmit, në botën e kontributeve shoqërore të mëdha për të cilat kemi nevojë.

Rudina Magjistari: Do të të pëlqente të ishte grua?

Erion Kristo: Refuzoj që të bashkohem me lojën burrë-grua, pse të mos jetë një fëmijë për shembull.

Rudina Magjistari: Sepse nuk e kanë mençurinë.

Erion Kristo: Unë të them të vërtetën njoh fëmijë që janë më të mençur se ata që kemi pasur në krye.

Rudina Magjistari: Pjekurinë se ndoshta mençurinë është për t’u diskutuar.

Erion Kristo: Edhe ti këtu në studio ke ftuar dhjetëra fëmijë që të japin ujë në bisht të lugës. Do doja që loja për presidentin të bazohej tek vlerat jo tek seksi. Edhe një grua mund të ishte shumë e mirë në rast se do ketë këto vlera që thashë unë. Ajo që dua të them, një fjali që është e rëndësishme dhe besoj që nga emisioni yt i shkon të gjithë njerëzve, është që bota akademike, shkencore, patriotike dhe jetësore e shqiptarëve ofron personalitete më të larta se bota e politikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat