Bregu: Bashkëpunimi rajonal është kompleks dhe i vështirë, por është rruga e duhur që të çon përpara

Shqipëria

Bregu: Bashkëpunimi rajonal është kompleks dhe i vështirë, por është rruga e duhur që të çon përpara

Më: 31 maj 2022 Në ora: 19:23
Majlinda Bregu

”Realitetet tona sot janë krejtësisht të ndryshme, për shkak të luftës në Ukrainë që dërgoi valë tronditëse deri tek ne dhe përkeqësoi dy tendenca, që ishin në zhvillim: ngadalësimin e rritjes dhe inflacionit. Për ilustrim, çmimet e ushqimeve dhe pijeve u rritën midis 7% në Shqipëri dhe 13% në Serbi. Inflacioni i përgjithshëm parashikohet të arrijë në 6.3% në vitin 2022. Por krahas inflacionit dhe çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, ndikimi ekonomik ndihet edhe nëpërmjet ndërprerjes në zinxhirët e furnizimit, tregtisë, investimeve, flukseve financiare dhe turistike dhe pasigurive të investitorëve”, ka thënë sekretarja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, në Kongresin e Partive Popullore Europiane (EPP).

Ky takim u mbajt sot në Roterdam, në diskutimin e nivelit të lartë EPP ‘Balkan Coffee’ me temë: Lufta e Rusisë dhe efektet e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Aty ishin të pranishëm Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt, Shefja e Task Forcës për Ballkanin Perëndimor, Komunikimit Strategjik dhe Parashikimit, Shërbimit të veprimit të jashtëm Europian (EEAS), Jasna Jelisic, dhe Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë të Partive Popullore Evropiane, Patrick Voller.

Varësia e Ballkanit Perëndimor nga Rusia dhe Ukraina në tregtinë e mallrave është 6.5%. BE-ja mbetet partneri dhe investitori më i madh tregtar në rajonin tone, megjithatë, për herë të parë, në edicionin e 8-të të Barometrit Ballkanik, shohim një trend negativ në mbështetjen për integrimin në BE.

60% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor e konsiderojnë anëtarësimin në BE si një gjë të mirë, ndërsa vitin e kaluar mbështetja ishte 62%.

Në këtë drejtim, tek qytetarët po vërehet rritja e pesimizmit se ekonomia e tyre nuk do të hyjë kurrë në BE. Vitin e kaluar ishte 22% dhe tani është 28%.

“Pra, diagnostikimi është i qartë dhe nuk është i mirë: Ka rreziqe negative të komplikuara dhe lufta, ushqimi, energjia, inflacioni…të cilat më bëjnë të mendoj me zë të lartë: nëse shpaloset plotësisht ky skenar krize duke u ndjekur nga çështjet dypalëshe, përshkallëzimi i toneve gjatë zgjedhjeve apo vonimi i hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në BE do të krijojë një densitet të tillë rreziqesh duke e bërë terrenin ideal që nacionalizmi ekonomik dhe politik të zërë rrënjë dhe të lulëzojë”, shtoi Bregu.

Bashkëpunimi rajonal mbetet shumë i vlerësuar – sipas Barometrit Ballkanik 2022, 76% e qytetarëve pajtohen se bashkëpunimi rajonal mund të kontribuojë në një situatë më të mirë politike, ekonomike ose të sigurisë në ekonominë e tyre.

“Ndryshimet do të kërkojnë kohë. Të gjithë ne do të kemi nevojë për një koordinim të fortë, reforma afatgjata si dhe një qasje të njëjtë në politikëbërje që mund të adresojnë sfidat komplekse e të ndërlidhura si dhe të balancojnë kompromiset mes qëllimeve ekonomike, sociale dhe mjedisore. Bashkëpunimi rajonal është kompleks dhe i vështirë, por është rruga e duhur për të ecur përpara”, përfundoi Sekretarja e Përgjithshme e RCC.

Asambleja e EPP-së do të miratojë Rezolutën e qëndrimit ndaj Ballkanit Perëndimor që mirëpret Deklaratën e Sofjes për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Axhendën e Ballkanit Perëndimor për Inovacionin dhe Planin e Veprimit të Përbashkët Rajonal të Tregut të Përbashkët, duke vlerësuar arritjet rajonale, veçanërisht ato të udhëhequra nga RCC, siç është hyrja në fuqi e Marrëveshjes Rajonale të Roaming të BP në korrik 2021, e cila ka përmirësuar lëvizshmërinë dhe integrimin në rajon, një përfitim i qartë ky për të gjithë qytetarët dhe një tregues për arritjet e mëdha që mundësohen falë përpjekjeve të përbashkëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat