Komshiu “VIP” ndërton ngjitur dhe i bllokon dritaren gruas në Sarandë, INUK prish objektin pa leje

Shqipëria

Komshiu “VIP” ndërton ngjitur dhe i bllokon dritaren gruas në Sarandë, INUK prish objektin pa leje

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 06:47
Foto ilustrim

Sabrina Islamaj, një qytetare nga Saranda ka denoncuar në emisionin investigativ “Stop” komshiun Bujar Ahmeti, i cili ka bërë një ndërtim të çuditshëm përpara dritareve të shtëpisë së saj, duke i bllokuar katin e dytë. Bëhet fjalë për një konstruksion metalik, që ngjan me një miniskenë për koncerte.

Denoncuesja: Kam ndërtuar shtëpinë që në vitin 2008. Një ditë të bukur, e gjej dritaren të bllokuar se ka ndërtuar komshiu dhe ka bllokuar pamjen time fare. Komshiun e kam ndihmuar me skrepin, me gërmime, me mure. Në fillim, më tha shumë faleminderit të kam motër. Tani ka mbyllur telefonat. Më ka bërë bllok. Ndërtesa është ndërtuar nga Bujar Ahmetaj. Në mos gaboj është në pronësi të gruas Jolina Ahmetaj. E ka ndërtuar para një muaji. Ne ishim në shtëpi, kur erdhi djali pasdite e gjeti të bërë. Ajo është si skenë, mbase do të bëjë koncerte. Ku di gjë unë e shkreta? Nuk u ngop gjithë atë vend? Ka 1 200 metra dhe pishinë. Ta gëzojë me fëmijët e tij, por jo të ma marrë frymën mua. Këtë nuk e pranoj.

Për këtë shqetësim Sabrina Islamaj ka bërë denoncim në Policinë e Sarandës. Megjithatë askush nuk ka bërë gjë, për të zgjidhur problemin dhe as INUV nuk ka lëvizur. Për ndërtimin pa leje ka 2 mënyra sipas të “plotfuqishmit” të kësaj zone.

Denoncuesja: Dëgjo mua, me atë ndërtimin pa leje, çu bë?

Inspektori i zonës: Me kë?

Denoncuesja: Me atë të komshiut, të Bujarit!

Inspektori i zonës: Të Bujarit e ka INUK-u, e bëjnë ata të INUKU-t, s’kam unë punë. Dëgjo mua, shko pyet!

Nëse do të ishin proceduar persona penalisht, objekti që është ndërtuar pa leje, lihet në gjendjen konservative, pra nuk prishet deri në përfundim të procedurës që do të bëjë prokuroria e Sarandës në lidhje me të pandehurit.

Denoncuesja: Ka ardhur ndonjë vendim nga policia për prishje? Është bërë kallzim penal.

Sekretarja e Prokurorisë Sarandë: Ti kur e ke bërë?

Denoncuesja: Para një muaji.

Sekretarja e Prokurorisë Sarandë: Emrin?

Denoncuesja: Sabrina Islamaj!

Sekretarja e Prokurorisë Sarandë: Nuk ka ardhur gjë deri tani.

Në këtë rast, nuk ka persona që janë çuar në Prokurorinë e Sarandës si të pandehur për këtë ndërtim pa leje dhe sipas procedurës, ky ndërtim duhej të ishte prishur menjëherë sipas konstatimit nga INUV-i në Bashkinë e Sarandës.

Një muaj pas konstatimit të ndërtimit të çuditshëm në dritaren e zonjës Sabrina Islamaj në Sarandë, askush nuk ka marrë masa. Bujar Ahmeti ka ndikim në qytet edhe për shkak të një pozicioni të rëndësishëm në Policinë e Shtetit.

Denoncuesja: Mbase ai është pak njeri me pozitë, por karrigia se të tjerat se kush i ka me vete i merr.

Denoncuesja: Mirë jeni? Ç’bëhet me atë problemin tim?

IMT Bashkia Sarandë: Ulu, ç’bëhet..?

Denoncuesja: Me problemin tim!

IMT Bashkia Sarandë: Janë mbajtur proçedurat, kanë dalë të firmosura, të vulosura, nga momenti në moment, do të vijnë.

Denoncuesja: Në rregull, faleminderit!

Për këtë problem, emisioni investigativ “Stop” iu drejtua zyrtarisht Bashkisë Sarandë dhe INUV-it, me pyetjen, se kur do të prishet ky objekt. Pas ndërhyrjes së “Stop” INUK prishi ndërtimin e çuditshëm. Zonja Islamaj tregon se çfarë ndodhi që pas ngritjes së shqetësimit zyrtar nga ana e emisionit “Stop”, duke falenderuar për zgjidhjen.

Denoncuesja: Pas një periudhe 2-mujore, unë gjeta zgjidhje tek emisioni “Stop”. Falenderoj shumë Gencin, gazetarin që nuk m’u nda asnjë ditë. Falenderoj dhe Bashkinë e Sarandës, kryetarin e bashkisë që mua më zgjidhën problemin. Jetë të gjatë emisioni “Stop” dhe Bashkia e Sarandës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat