“4 të vdekur e 1 i plagosur nën hundën e policisë”- Atentat e përgjakshme, PD: Shteti ka kapitulluar, të hapë rrugë

Shqipëria

“4 të vdekur e 1 i plagosur nën hundën e policisë”- Atentat e përgjakshme, PD: Shteti ka kapitulluar, të hapë rrugë

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 12:14
Foto ilustrim

Katër të vdekur dhe 1 i plagosur është bilanci i viktimave nga atentateve të përgjakshme në Shqipëri në më pak se një javë.

Pas vrasjes së tre të rinjve në masakrën e Fushë-Krujës të dielën dhe atentatit të së premtes në Milot, ka reaguar Partia Demokratike e cila është shprehur se rendi e siguria kanë dalë jashtë kontrollit.

Sekretari për Diasporën në PD, Indrit Hoxha tha se qeveria nuk po menaxhon vendin, ndërsa krimet po ndodhin nën hundë ne policisë dhe akse rrugësh kombëtare.

Sipas PD, bota e krimit nuk po i bën karshillëk qeverisë, por e kundërta, nuk trembet prej forcës së shtetit, sepse e sheh si partner. Situatën në vend, PD e konsideroi një kapitullim të shtetit dhe kërkoi largimin e qeverisë.

Njoftimi i plotë:

Rendi dhe siguria publike në Shqipëri janë përkeqësuar duke dalë jashtë kontrollit në harkun e një jave. Katër të vdekur dhe një i plagosur rëndë në atentate të përgjakshme, nën hundën e Policisë së Shtetit, dhe në akse rrugësh të rrahura kombëtare, janë shenjë se qeveria nuk menaxhon vendin.

Ajo thjesht mbikëqyr korrupsionin.

Mbrëmë në Milot dhe një javë më parë në Fushë Krujë, krimi i organizuar dëshmoi se është më prezent dhe më i sofistikuar se shteti. Për faktin e thjeshtë se shteti nuk e tremb më, por duke qenë pushtet e jo shtet, bashkëpunon me të.

Partia Demokratike lëshon sot thirrjen kombëtare për trajtimin si emergjencë të rendit dhe sigurisë publike. Përfshijmë në këtë thirrje të gjithë aktorët relevantë të cilëve u bëjmë me dije se Shqipëria nuk menaxhohet më nga qeveria e para 9 viteve.

Përgjegjësitë, si për rendin, si për korrupsionin, si për të palarat e këtyre 9 viteve, duhen kërkuar në të sotmen, jo në dekadën e shkuar.

Arsyet e acarimit të elementëve kriminalë, nuk kanë të bëjnë me gjë tjetër veçse me ndarje territoresh, me zona influence, hapësira që lejohen, jo vetëm nga paaftësia qeveritare, por sidomos nga implikimi qeveritar.

Bota e krimit nuk po i bën karshillëk qeverisë. E kundërta, ajo nuk shqetësohet më prej forcës së shtetit, sepse e sheh si partner dhe si të ngjashëm.

Partia Demokratike nuk dëshiron të bëjë politikë me vdekjen, por në të njëjtën kohë, ne nuk mund të mbyllim sytë para një emergjence kombëtare.

Nuk kemi të bëjmë me luftë bandash, dhe as rivalitet, por me kapitullim.

Ndër dy të ngjashmit, për të zezën e qytetarëve, luftën po e fitojnë ata që i bëjnë punët e zeza me kohë të plotë.

Kjo e bën Shqipërinë një vend në rrezik, dhe cdo rrezik përballet me emergjencë dhe zgjidhje kombëtare. Një qeveri që ka kapitulluar duhet të hapë rrugën.

Rrugë tjetër nuk ka!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat