​Valuta monedhë e preferuar për depozita

Shqipëria

​Valuta monedhë e preferuar për depozita

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 08:50
Foto ilustrim

Valutat vazhdojnë të jenë për një pjesë të madhe të shqiptarëve, monedhat e preferuara në depozitat bankare. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në muajin qershor të këtij viti, depozitat bankare në monedhë të huaj u rritën me 0.78% me bazë mujore

Sipas BSH-së, ndikimin më të madh në totalin e kursimeve në valutë e dhanë korporatat financiare dhe më pak individët.

Për të dyja llojet e monedhave që janë më të përdorshmet në tregun vendas (euro dhe dollar) rritja ka ardhur nga llogaritë pa afat, teksa normat e ulëta të interesit nuk nxisin mbajtjen e kursimeve me afat të gjatë. Por, pas dy vendimeve të fundit të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë, nga niveli minimal historik prej 0.5% në 1.25% aktualisht pritet që të kenë të njëjtën tendencë edhe interesat e depozitave duke nxitur sidomos individët që të mbyllin kursimet në afate më të gjata.

Me bazë vjetore (qershor 2022/qershor 2021), depozitat janë rritur me 8.1%. mbi 80% e kësaj rritjeje ka ardhur nga kursimet në valutë (efekti real është dhe më i lartë pasi depozitat në euro raportohen në lekë dhe ka një efekt nënvlerësimi si rrjedhojë e rënies së euros).

BSH-ja bën të ditur se, në totalin e depozitave bankare, kursimet në valutë në fund të qershorit zunë 56.1%, nga 53.8% në të njëjtin muaj të një viti më parë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat