Morën informacion se ishte kthyer nga Dubai, si përfundoi aksioni për arrestimin e Florenc Çapjas me shpalljen në kërkim të të atit

Shqipëria

Morën informacion se ishte kthyer nga Dubai, si përfundoi aksioni për arrestimin e Florenc Çapjas me shpalljen në kërkim të të atit

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 09:29
Florenc Çapja

Një operacion i Policisë së Elbasanit për arrestimin e të shumëkërkuarit, Florenc Çapja, i cili dyshohet të jetë rikthyer nga Dubai, ka përfunduar me shpalljen në kërkim të babait të tij.

Forcat e Rendit në Policinë e Elbasanit kanë zhvilluar kontrolle në ambientet dhe në servisin e Fejzulla Çapjas. Kontrollet kanë zbuluar një automjet i vjedhur dhe disa targa të vjedhura. Florenc Çapja dyshohet se strehohet në Dubai, ndërsa autoritetet atje refuzuan ekstradimin e tij.

KONTROLLET 

Servisi në pronësi të babait të Florenc Çapjas, i cili mendohet se jeton në Dubai, ndodhet në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Në të njëjtën kohë, në kërkim është edhe 64- vjeçari për disa vepra penale.

Policia thotë se kontrollet janë kryer në kuadër të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë. Ende nuk dihet nëse babai i Florenc Çapjas, është përfshirë në ndonjë ngjarje të rëndë kriminale, ndërsa emri i tij nuk rezulton i përfolur në media, ndryshe nga Florenci apo xhaxhai i këtij të fundit, Ardjan Çapja.

“Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e dokumentimin e atyre të ndodhura më parë, dokumentimin e veprimtarisë së grupeve kriminale dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan ushtruan kontroll në lagjen Emin Matraxhiu, në servisin në pronësi të shtetasit Florenc Çapja, 64 vjeç, me qëllim kapjen e personit të kërkuar Fejzulla Çapja (djali i 64-vjeçarit)”, sqaroi Policia.

KU U VODH AUTOMJETI

Kontrollet e ushtruara në servisin në pronësi të 64- vjeçarit, i cili më parë ka qenë pronë e Bledar Muçës, i vrarë në Belgjikë, kanë zbuluar disa prova për Policinë, të mjaftueshme për të ngritur sërish akuzë ndaj Fejzullah Çapjas.

Nga hetimet, ka rezultuar se automjeti tip “Alfa Romeo”, rezulton i vjedhur në Kavajë më 18 prill të vitit 2019, periudhë për të cilën flet edhe Nuredin Dumani se ishte kontraktuar për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit. Gjithashtu, Policia ka zbuluar edhe dy targa automjetesh, të cilat rezultojnë gjithashtu të vjedhura në qershor të vitit 2020. “Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin e babait të shtetasit të kërkuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një automjet tip ‘Alfa Romeo”, pa targa, i cili rezulton i vjedhur në Kavajë, më datë 18.4.2019. Në vijim të kontrollit, në brendësi të automjetit u gjetën 2 targa, të cilat gjithashtu rezultojnë të vjedhura në Elbasan, më datë 29.6.2020, fishekë luftarakë dhe 1 aparat celular”, thuhet në njoftim.

Policia thotë gjithashtu se është gjetur edhe një kapele me stemë policie.

“Ndërsa në ambientet e servisit, shërbimet e Policisë gjetën një kapele me stemën e Policisë, si dhe një këllëf për mbajtjen e armëve të zjarrit”, thuhet më tej. AKUZAT Ndërsa i biri rezulton në kërkim dhe vëllai i tij ndodhet prapa hekurave, tanimë edhe 64-vjeçari rrezikon burgun. Policia e Elbasanit ka ngritur disa akuza ndaj tij, që indirekt e përfshinë edhe në një tentativë vrasjeje.

“Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të servisit, shtetasit F. Ç., për veprat penale ‘Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’, ‘Mbajtja pa të drejtë e uniformës’ dhe ‘Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje’ dhe vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e 64- vjeçarit”, thuhet më tej.

Fejzulla Çapja u plagos në atentat në 2016

Ndërsa fisi Çapja dyshohet të jenë përfshirë në disa ngjarje kriminale, akuza që rëndon zyrtarisht mbi Florenc Çapjan është ajo e përfshirjes në vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij të paralizuat, Nezir Beqiri, ngjarje e ndodhur më 15 gusht të vitit 2012 në banesën e viktimave.

Pavarësisht se Gentian Beqiri ruhej nga forcat e Policisë, vrasja e tij ndodhi në momentin kur e ëma doli për të bërë pazar, duke u tradhtuar nga shoku i tij i ngushtë.

Florenc Çapja së bashku me xhaxhanë e tij, Ardjan Çapja, si edhe Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se për kryerjen e vrasjes së dyfishtë kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian dhe Nezir Beqirin. Katër vite më vonë, atij i vranë vëllanë, Saimir Beqiri.

Më 3 shkurt të vitit 2016, tre persona mbetën të vrarë në një lokal në lagjen “Emin Matraxhiu”, lagje ku banon fisi Çapja, e midis nëntë personave që mbetën të plagosur, ishte edhe Fejzulla Çapja, i shpallur në kërkim gjatë ditës së djeshme.

Nuredin Dumani: 200 mijë euro për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit

Në dëshmitë e gjata përpara prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Nuredin Dumani, i përfshirë në disa vrasje me pagesë, ka deklaruar gjithashtu se ishte kontraktuar nga fisi Çapja për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

Dumani pat deklaruar se për të kryer krimin, do të paguheshin 200 mijë euro. Çapja pretendonte se Sanxhaktari kishte lidhje me një tjetër emër të botës së krimit në Elbasan, Suel Çelën. Dëshmia është mbështetur edhe nga Henrik Hoxhaj, “ushtari” i Dumanit.

“Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça, pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi. Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose pasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy.

Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro.

Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat