“I varin ujkut zorrët në qafë”, Noka: Rikthimi i Ardi Veliu në polici ogur i keq, i rrezikshëm dhe provokativ

Shqipëria

“I varin ujkut zorrët në qafë”, Noka: Rikthimi i Ardi Veliu në polici ogur i keq, i rrezikshëm dhe provokativ

Më: 6 shtator 2022 Në ora: 14:57
Flamur Noka

Sekretari i Përgjithshem i PD, Flamur Noka në një deklaratë për shtyp nga selia e PD ka thënë se rikthimi i njërit prej përgjegjësve të kriminalizmit të policisë, Ardi Veliut në krye të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore , është një ogur i keq i kësaj qeverie për çdo shqiptar që kërkon rend, siguri dhe një polici në shërbim të qytetarëve.

Flamur Noka: Rikthimi i njërit prej përgjegjësve të kriminalizmit të policisë në vendin e krimit, është një ogur i keq i kësaj qeverie për çdo shqiptar që kërkon rend, siguri dhe një polici në shërbim të qytetarëve. Ardi Veliu, ish-drejtori famëkeq i Policisë së Shtetit, është kthyer në strukturën policore. Ai do të drejtojë Agjencinë e Mbikqyrjes Policore e cila, siç sugjeron emri, do të kontrollojë policët për shkelje etike dhe ligjore.  Siç thotë populli: i varin ujkut zorrët në qafë. Ardi Veliu është kampion i shkeljeve etike dhe ligjore. Ai është kryepolici i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, me dorën deri në bërryl në qypin e korrupsionit. Gjithashtu Veliu është kryepolici që infektoi policinë e shtetit me virusin e prekjes dhe përfshirjes në zgjedhje.

Noka u shpreh se PD paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer, jo për ta mbikqyrur Policinë, por për tu siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces.

Flamur Noka: Partia Demokratike paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer, jo për ta mbikqyrur Policinë, por për tu siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces. Si dhe për të ruajtur lidhjet e vjetra me botën e krimit. Ardi Veliu e ka mbi vete damëkn e Elbasanit në zgjedhjet e shkuara.

“Riqarkullimi i Veliut nuk është thjesht kriza për kuadro të ndershëm në Polici, por filozofia e kryeministrit, ministrit dhe kësaj qeverie, sipas të cilëve monitorimi i Policisë u lihet të inkriminuarve.”, tha Noka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat