Rama: Gjuha shqipe në rrezik, duhet të futet në çdo nivel arsimor

Shqipëria

Rama: Gjuha shqipe në rrezik, duhet të futet në çdo nivel arsimor

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 11:20
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kongresin Kombëtar të Arsimit ka deklaruar se gjuha shqipe është e rrezikuar. Kreu i qeverisë vuri theksin te gjetja e mënyrave për forcimin e pozicionit të gjuhës shqipe. Rama theksoi se gjuha shqipe është përfshirë nga një kaos gjuhësor dhe komunikativ.

“Të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një qëllim kemi, përparimi i kombit shqiptar. Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapje të Kongresit të dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull nga Kongresi i Manastirit një gur themeli që u fokusua te gjuha dhe më pas te arsimi, ne mblidhemi këtu në një Kongres që natyrisht është shumë modest për nga pesha se sa kongresi i manastirit por që në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar. Mësimi i shqipes dhe arsimimi i popullit shqiptar ishte për delegatët e kongresit të Manastrit mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit. Shumë kush mund të pyesë, por nga se do ta mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigjja është e thjeshtë, mjafton të harxhojë secili për të lundruar në gjithë kanalet e informacionet që të shikojë se çfarë ndodh me gjuhën shqipe, çfarë ndodh me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi. Teksa brezi më i ri përfshihet me shpejtësi në rrugën e komunikimit përmes tel celularë, përmes kompjuterëve, gjuha është më e rrezikuar dhe nga ana tjetër kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë, por të gjitha gjuhëve që janë në këtë presion të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe mundësia për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse. Besoj se na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh, rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi më tej se gjuha shqipe duhet të futet në çdo nivel arsimor. “Ajo që është pak por është shumë e sigurt është se sot ne kemi nevojë më shumë se asnjëherë më parë për të bashkuar mendjet tona përtej kufijve të Shqipërisë, në të gjithë hapësirat ku jetohet dhe flitet shqip”, tha Rama.

Kreu i qeverisë bëri me dije gjithashtu se ka diskutuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të futur Abetaren e Unifikuar për pjesën e popullsisë shqiptare. Rama tha se Maqedonia e Veriut është parimisht dakort, ndërsa po zhvillohen bisedime me Malin e Zi dhe Serbinë.

“Maqedonia është parimisht gati për të futur abetaren. Kemi diskutuar me Malin e Zi edhe me Serbinë për pjesën e popullatës shqiptare. Është e rëndësishme sot të kujtoni nga u nisëm dhe përsëri edhe në këtë fushë vlen e njëjta gjë. Po të kujtojmë nga u nisëm sot jemi dita me natën. Po të mendojmë ku duhet të shkojmë sot jemi nata me ditën. Kemi shumë për të bërë. Jo se kështu duhet thënë për tu dukur mirë, por sepse kjo është e vërteta. Mësuesit dhe mësueset ishin skllevër të politikës, nuk mund të vendosnin asgjë për fatin e tyre. Mund të gdhiheshin në një vend pune dhe mund të ngryseshin në një vend tjetër. i gjithë sistemi ishte i bazuar te politika, tesera e partisë dhe heqja e mësuesve nga kthetrat e politikës, pavarësimi i tyre, vendosja e figurës në qendër, e ka ndryshuar si ditën me natën situatën e mësuesve”, tha Rama./rtsh/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat