Ngjela: PD pa Berishën e rrëzon Ramën nga pushteti

Shqipëria

Ngjela: PD pa Berishën e rrëzon Ramën nga pushteti

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 12:25
Spartak Ngjela

Avokati i njohur, Spartak Ngjela është shprehur dje se Partia Demokratike me një lidership të ri, pa ish-kryeministrin Sali Berisha, e rrëzon brenda 4 muajve kryeministrin Edi Rama nga pushteti. Gjatë një prononcimi për mediat, Ngjela deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha nuk e ka mbështetjen e popullit, prandaj tani i duhet Enkelejd Alibeaj.

“Po të mos jetë Saliu, Partia Demokratike me një lidership të ri, që mund të vijë nga jashtë, për 4 muaj rrëzon Edi Ramën. Alibeajt nuk i duhet Berisha. Berisha do të tërhiqet, nuk ka menduar politikisht. Pasi të bjerë Rama, Partia Demokratike vjen në pushtet por pa Saliun”, u shpreh Ngjela.

Avokati nënvizoi më tej se Berisha nuk ka popullin me vete dhe prandaj kërkoi bashkëpunim me Enkelejd Alibeajn.

“Ne nuk e dimë arsyen e plotë pse e kanë nxjerrë “non grata”, por ata i mbajnë qëndrim shumë të rreptë. Gjithë çështja është që të ndihmohet PD. Berisha nuk ka populizimin me vete dhe tani i duhet Alibeaj. Berisha duhet të tërhiqet me takt”, tha ai.

Më tej Ngjela u shpreh se kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta iu ndalua pjesëmarrja në Kongresin e Partisë Socialiste Europiane, pasi bashkëpunoi me Sali Berishën. “Fakti është që i thanë, meqë je me Berishën ne nuk të pranojmë. Problemi i Berishës në Perëndim është shumë i madh. Ai nuk hyn dot në perëndim. Do skemë të re Partia Demokratike dhe Saliu duhet ta lejojë, vetëm kështu mund të vijë në pushtet”, u shpreh Ngjela.

Pak ditë më parë qarkulloi në media një e-mail ku pretendohet se Partia Socialiste Europiane, i ka ndaluar Ilir Metës pjesëmarrjen në kongresin që pritet të zhvillohet në Berlin në mes të muajit tetor. Në media qarkulloi lajmi se Metës i është ndaluar pjesëmarrja për shkak të bashkëpunimit me Sali Berishën. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë së Lirisë, e cila nënvizoi se asgjë nga ato që janë publikuar në media nuk janë të vërteta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat