Greva e pedagogëve/ Veliaj: Nuk mund të humbasim edhe një vit tjetër akademik!!

Shqipëria

Greva e pedagogëve/ Veliaj: Nuk mund të humbasim edhe një vit tjetër akademik!!

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 18:09
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se greva e paralajmëruar nga pedagogët, është në dëm të studentëve pasi ata nuk mund të humbasin edhe një vit tjetër akademik pas atyre të mëparshme të shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia.

Gjatë një aktiviteti ku Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshje me Teatrin e Operas dhe Baletit, Veliaj u shpreh se i njeh ata që kanë dalë në protestë, madje edhe ambiciet e tyre politike.

Veliaj: Unë nuk e di si ndihet një prind që, pasi nuk u bë një vit shkollë prej tërmetit, dhe një vit prej pandemisë, tani shohin këtë protestë. I rikuperojmë dot vitet e jetës akademike, kur dikush bën grevë tani që fillon shkolla? Ndërkohë, e kishim gjithë verën për të diskutuar për këto. Nuk i heq meritat askujt, edhe pse i njoh të gjithë, ambiciet e tyre politike, garën që po afron, kush e kush të dalë më i zellshëm edhe brenda një grupi politik. Pyetja është: A eshte ky momenti për të lënë fëmijët pa shkollë? A ka prind që thotë: derisa fëmija im nuk shkoi në shkollë tre vite, mos të shkojë as këtë vit? E dyshoj shumë këtë! Qofsh i majtë apo i djathtë, te fëmija nuk fal njeri. Unë besoj se në disa tema duhet të bëjmë super debat, edhe për artin, edhe kulturën, se ka disa gjëra që mund t’i bëjmë më mire, janë disa gjëra që nuk ka diskutim që duhet të fokusohemi, si arsimi cilësor. Por, ta kalojmë njëherë këtë krizë, pastaj gjejmë kohën e duhur për debat.

Ndërkohë për shtimin e shërbimeve që përfshin Karta e Studentit, Veliaj tha se është e rëndësishme që në shërbimet që u ofrohen të ketë edhe lehtësira të tilla, siç janë aktivitetet kulturore.

Veliaj: Kur të shkruhet historia e këtij vendi, për secilin prej nesh do të pyetet: Nëse kontribuam për sherr, duke provokuar njëri-tjetrin, apo ishim ura bashkëpunimi, për të gjetur gjuhën dhe për të ndarë se çfarë është e rëndësishme tani? Me Kartën e Studentit ne ofrojmë jo vetëm shërbime fizike me kosto të ulëta, por edhe mundësi për të ndjekur aktivitete kulturore, që janë për shpirtin dhe mendjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat