CRCA/ECPAT Shqipëri prezanton në Gjenevë Raportin Alternativ për gjendjen e të drejtave të fëmijëve

Shqipëria

CRCA/ECPAT Shqipëri prezanton në Gjenevë Raportin Alternativ për gjendjen e të drejtave të fëmijëve

Më: 4 nëntor 2022 Në ora: 20:27
CRCA/ECPAT

Raporti Alternativ u përgatit së bashku me Parlamentin Rinor Tiranë, në përgjigje të Raportit të pestë e të gjashtë zyrtar të Shqipërisë, që do të merren në konsideratë gjatë vitit 2023 nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijës i OKB-së, në Gjenevë. Ky është raporti i katërt alternativ, ndërkohë që raporti i parë u përgatit dhe u dorëzua po nga CRCA/ECPAT Shqipëri në vitin 2001.

Tiranë, 28 Shtator 2022 – Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve të OKB-së, zhvilloi sesionin e tij të 93-të, në të cilin CRCA/ECPAT Shqipëri ngriti të gjitha shqetësimet që paraqit Raporti Alternativ mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në vendin tonë. Në korrik të vitit 2022, CRCA/ECPAT Shqipëri kishte dorëzuar pranë Komitetit në Gjeneve, Raportin Alternativ për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri nga viti 2014 e deri më sot. CRCA është e vetmja organizatë e shoqërisë civile në Shqipëri që ka dorëzuar Raport Alternativ çdo herë që shteti shqiptar ka raportuar në lidhje me zbatimin e KDF-së.

Në këtë sesion, përfaqësuesi i CRCA/ECPAT Shqipëri, duke iu përgjigjur interesimit të anëtarëve të Komitetit, dha informacion mbi ligjet për fëmijët dhe zbatimin e tyre në Shqipëri, strategjitë dhe buxheti për zbatimin e tyre. Një tjetër fushë në të cilën u raportua ishte edhe situate e dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, gjendja e arsimimit të tyre dhe politikat mbi shëndetin e fëmijëve.

Pjesë e raportimit u bënë edhe vetë fëmijët. Për rreth 2 orë, tre fëmijë nga grupet e fëmijëve të CRCA/ECPAT Shqipëri, të cilët kanë kontribuar edhe tek raporti alternativ, biseduan me anëtarët e Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve të OKB-së. Sesioni përfshiu në shqyrtimin e tij Shqipërinë, Finlandën, Irlandën, Jordaninë, Mauritius, Zelandën e Re, Suedinë dhe Turqinë.

Bazuar në të gjitha të dhënat që përfaqësuesit e CRCA/ECPAT i përcollën Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve të OKB-së në Gjenevë, ky i fundit do të parashtrojë të gjitha cështjet dhe pyetjet që kanë anëtarët e saj për shtetin shqiptar, i cili duhet të përgjigjet me shkrim.

Raporti Alternativ synon të evidentojë problemet kryesore mbi të cilat shteti shqiptar ka treguar mangësi në plotësimin e detyrimeve që vijnë nga KDF-ja që nga viti 2014 e deri më sot. Qëllimi kryesor i këtij procesidhe është përmirësimin e gjendjes të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Raporti, ndër të tjera, fokusohet në zbatimin nga Shqipëria të katër parimeve themelore të Konventës për të Drejtat e Fëmijës: mos-diskriminimi, mbijetesa dhe zhvillimi, interesi më i lartë i fëmijës, dhe pjesëmarrja. Përsa i përket parimit të mos-diskriminimit, fëmijët në Shqipëri vijojnë të vuajnë nga shkelja e të drejtave të tyre në arsim dhe aksesin në shërbime diskriminimin. Në mënyrë të veçantë fëmijët dhe adoleshentët LGBTI, Romë dhe me aftësi të kufizuar vijojnë të përballen me diskriminim të hapur nga trupa mësimore, prindërit dhe nxënësit në sistemin e arsimit publik, i cili nuk është i aftë as të mbrojë dhe as të garantojë respektimin e të drejtave të tyre.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është ende tepër larg standarteve ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve dhe sidomos të fëmijëve viktima të krimit. Fëmijët-viktima të dhunës seksuale nuk përfitojnë asnjë kompensim nga Qeveria, pavarësisht se ajo është përgjegjëse për krimet që ndodhin dhe sigurinë e fëmijëve. Ligji nuk përcakton qartazi detyrimin e shtetit për të ofruar papagesë të gjitha shërbimet e domosdoshme për viktimat e dhunës seksuale. Ndërkohë media ende nuk ka arritur të zbatojë standartet më të larta të mbrojtjes së fëmijëve-viktima, duke mos-respektuar privatësinë e tyre.

Varfëria ekstreme dhe mungesa e programeve kombëtare kundër varfërisë dhe të mbështejes sociale, sidomos gjate periudhës së Pandemisë së Covid -19, ka ndikuar së tepërmi në të drejtën e fëmijëve për mbijetesë dhe zhvillim. Rreth 14% e popullsisë jetojnë në kushte të varfërisë absolute, ndërsa rreth 3 mijë fëmijë jetojnë në situatë rruge, duke qënë target i trafikimit, dhunës dhe shfrytëzimit seksual.

Një tjetër shqetësim që sjell Raporti, janë fëmijët që jetojnë në kampet e luftës në Siri. Pavarësisht thirrjeve drejtuar Qeverisë për të mbrojtur fëmijët nga Shqipëria të përfshirë në konflikte të armatosura, numri i fëmijëve të kthyer është ende shumë i vogël.

Shqipëria është palë në Konventën për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së që nga viti 1992 dhe ka raportuar periodikisht në Komitetin për të Drejtat e Fëmijës. CRCA/ECPAT Shqipëri përgatiti dhe dorëzoi Raportin e 1-rë Alternativ në OKB në vitin 2001. Kjo i hapi rrugën një angazhimi më të madh të shoqërisë civile në sistemin e raportimit të të drejtave të njeriut dhe u ndoq nga Raporte të tjera alternative për konventat të tilla si CEDAW, CAT, CERD dhe UPR.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat