Rama: Procedura e ambasadorit të SHBA nga DASH

Shqipëria

Rama: Procedura e ambasadorit të SHBA nga DASH

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 23:30
Edi Rama

Pas mbledhjes më të deleguarit e qarqeve të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj mediave në lidhje me zhvillimet më të fundit në vend.

Sa i përket nisjes së procedurave për emërimin e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se është nisur nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe se nuk ka krisje të marrëdhënieve me ambasadoren aktuale.

Edi Rama: Ngjitja mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë, nëse mund ta përdorim kështu me metaforën e krisjes dhe ngjitjes nuk ka asnjë problem. Ne kemi pasur dje një takim të gjatë, konstruktiv, miqësor, nuk ka asnjë problem.

Kryeministri u rezervua sa i përket hetimeve të inceneratorëve, teksa bëri të ditur se do të shprehej pasi drejtësia të japë vendimin përfundimtar mbi hetimet.

Edi Rama: Dhe ne as për njerëz që janë në PS dhe as për njerëz që janë kundër PS dhe as për ish-Presidentë Republike, as për ish-Kryeministra, nuk e kemi zakon të prononcohemi kur bëhet fjalë për këtë lidhje dhe unë të gjitha çfarë thuhen në media i marr me shumë rezervë.

Shefi i qeverisë foli edhe për marrëveshjen e arritur me Britaninë e Madhe për kthimin e emigrantëve të paligjshëm, duke theksuar se ka qenë vetë ai që e ka kërkuar një gjë të tillë dhe kanë rënë dakord për ngritjen e një skuadre speciale të përbashkët.

Edi Rama: Kryeministri britanik më ka shprehur keqardhjen dhe një keqardhje e shprehur në mënyrë shumë pa ekuivok për atë çfarë ka ndodhur.

Rama nuk i kurseu as batutat sa i përket procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e 14 Majit.

Edi Rama: Ne e kemi praktikën tonë të konsoliduar, bëjmë konsultim të kryqëzuar, konsultimin me partinë nuk diskutohet sepse ne kemi parti, nuk kemi çeta që mblidhen dhe shpërndahen sipas thirrjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat