Presidenti Begaj bisedë me FA në mision jashtë vendit: Do vijojmë të kontribuojmë në mënyrë aktive në operacione të NATO-s

Shqipëria

Presidenti Begaj bisedë me FA në mision jashtë vendit: Do vijojmë të kontribuojmë në mënyrë aktive në operacione të NATO-s

Më: 1 janar 2023 Në ora: 12:02
Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Bega

Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Shqipërisë që shërbejnë në misione dhe operacione jashtë vendit në kuadër të NATO-së, BE-së dhe OKB-së.

Presidenti Begaj i uroi efektivët shqiptarë me rastin e fillimit të vitit të ri, duke shprehur vlerësim për përkushtimin dhe sakrificën e tyre që në momentet e ndërrimit të viteve ndodhen larg familjeve dhe njerëzve të dashur, në krye të detyrës dhe në shërbim të një misioni fisnik për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Trupat shqiptare janë pjesë e misioneve jashtë vendit nga Kosova në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Irak dhe deri në Sudanin e Jugut.

“Shërbimi juaj përkrah aleatëve është një shërbim që përshkohet nga sakrificat, përkushtimi, përgjegjshmëria dhe disiplina e lartë që karakterizon Forcat e Armatosura.” theksoi Presidenti Begaj.

Presidenti tha ndër të tjera se viti 2022 ishte një vit shumë i vështirë, ku agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës rrezikoi paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e saj ndihen në jetën e çdo qytetari.

Nga ana tjetër, sipas Presidentit Begaj ky konflikt ka dëshmuar rëndësinë, forcën dhe kompaktësinë e aleancës, e cila është e aftë të mbrojë çdo centimetër të saj dhe vendeve anëtare.

Presidenti Begaj nënvizoi se “si anëtare e NATO-s, vendi ynë do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë aktive në misione dhe operacionë të drejtuara nga NATO si dhe do të rrisim kontributet tona aty ku do të jetë e nevojshme dhe do të na kërkohet,” nënvizoi Presidenti Begaj.

“Këto ditë kam ndjekur me shqetësim ngjarjet në veri të Kosovës. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s është e përkushtuar dhe mbështet misionin e KFOR, që ne e cilësojmë si një histori suksesi. Unë ju falenderoj ju kontigjent që jeni atje, për të gjithë përkushtimin e treguar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”, theksoi Presidenti.

“Forcat e Armatosura janë shumë të rëndësishme për një vend dhe unë sot nëpërmjet jush gjej rastin të falënderoj të gjitha Forcat e Armatosura shqiptare për përkushtimin e treguar në përmbushjen e çdo detyre kushtetuese, por edhe në përballimin e atyre situatave të cilat kanë qenë jo të pakta gjatë vitit, si emergjencat e ndryshme,” shtoi më tej Presidenti.

“Për mua, ju jeni aseti më i çmuar i Forcave të Armatosura.  Mund të marrim pajisje mjaft të mira teknologjike, por nëse nuk kemi njerëz për t’i përdorur ato nuk kemi bërë asgjë. Me këtë rast edhe njëherë ju uroj festa të gëzuara, shëndet e mbaresi për ju dhe familjet e juaja. Gëzuar Vitin e Ri 2023, shumë faleminderit për shërbimin që i bëni kombit,” e mbylli përshëndetjen e tij Presidenti Begaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat