Në shkurt zyrtarizohet ristrukturimi i Policisë së Shtetit, nga emërimet e reja, te fokusi në krimet kibernetike dhe ngritja e një strukturë të re për qytetarët

Shqipëria

Në shkurt zyrtarizohet ristrukturimi i Policisë së Shtetit, nga emërimet e reja, te fokusi në krimet kibernetike dhe ngritja e një strukturë të re për qytetarët

Më: 7 janar 2023 Në ora: 13:47
Policia

Policia e Shtetit pritet të pësojë një ristrukturim në muajin e ardhshëm. Sipas raportimeve mediatike, po hartohet një plan riorganizimi dhe shtimi të departamenteve të reja në organin më të lartë të garantimit të rendit dhe sigurisë në vend. Këto lëvizje do të pasohen padyshim dhe me emërime të reja të drejtuesve të strukturave policore në qendër dhe periferi të Policisë së Shtetit. Kujtojmë që në 16 dhjetor të vitit të kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ndërmori deri tani në mandatin e tij valën më të madhe të emërimeve në radhët e policisë duke firmosur 25 emërime nga jugu në veri të Shqipërisë.

Departament IT për krimin kibernetik, vend dhe për krimin ekonomik

Në bazë të informacioneve të siguruara, do të investohet në fushat e krimit kibernetik, ekonomik dhe në sektorin e policisë kriminale. Një fokus të madh do të zërëçështja e luftës kundër sulmeve kibernetike pas valëve të vazhdueshme të hakerimit iranian të sistemeve online shtetërore e publike përgjatë vitit të kaluar. Brenda makrostrukturës së Policisë së Shtetit do të krijohet një departament i teknologjisë së informacionit për të verifikuar sigurinë kibernetike të sistemeve online:të hyrje-daljeve nga dhe brenda Republikës së Shqipërisë (TIMS), menaxhimit të informacionit kriminal (MEMEX), agjencisë së zhvillimit (ADAMS), etj.

Departamentet për hetimet e krimeve të ndërlidhura, ja lëvizjet e 2 komisariatave

Përveç këtyre strukturave, pritet të krijohet dhe një sektor për hetimin e ngjarjeve kriminale të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Ky sektor do të ngrihet në disa qarqe të Shqipërisë. Një tjetër aspekt i planit të ristrukturimit të Policisë së Shtetit është dhe ndryshimi i varësisë së disa komisariateve. Kërkohet që komisariati i Durrësit të hiqet nga Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit dhe t’i kalojë në varësi Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa Komisariati i Fushë-Krujës të kalojë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. Të gjitha ndryshimet dhe emërimet e reja në Policinë e Shtetit priten të konfirmohen në javët e ardhshme.

Emërimet kryesore të 16 dhjetorit, FNSH, zv/drejtor i përgjithshëm dhe qytetet e mëdha

Në 16 dhjetor 2022, kreu i Policisë së Shtetit vendosi 25 ndryshime në strukturat drejtuese qendrore dhe lokale të rendit. Konkretisht, emërimet kryesore janë: Tonin Vocaj, nga zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Drejtor të Policisë së Tiranës; Sokol Bizhga, nga drejtor i FNSH në zv/drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; Lorenc Panganika, nga drejtor i Policisë së Tiranës në drejtor të Policisë së Fierit; Arben Dashi, nga drejtor i Drejtorisë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurië në Policinë Kriminale në Drejtor të Policisë së Kukësit; Edmond Sulaj, nga Drejtor i Policisë së Kukësit në Drejtor të Drejtorisë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në Policinë Kriminale; Ermal Muçaj, nga zv.drejtor për Hetimin e Krimeve në Policinë e Korçës në drejtor të Policisë së Vlorës; Hamdi Fjora, nga drejtor i Policisë së Shkodrës në Drejtor të FNSH; Ervin Hodaj, nga pedagog në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë në drejtor të Policisë së Shkodrës.

Ndryshimet e tjera, Akademia e Sigurisë dhe Migracioni e Kufiri

Gentian Berberi, nga drejtor i Policisë së Vlorës në shef të njësisë “E” në Drejtorinë Hetimore të Policisë Kriminale, sektori i Hetimeve të Krimeve Ekonomiko-Financiare; Alfred Çepe, nga drejtor i Policisë së Fierit në drejtor të Fakultetit të Hetimit të Krimit në Akademinë e Sigurisë; Lutfi Minxhozi, nga Drejtor i Drejtorisë së Krimeve Ekonomie dhe Financiare në pedagog në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë; Zef Laska, nga drejtor i Rendit Publik në drejtor të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Departamentin për Shërbimet Mbështetëse; Vilma Ibrahimi, shefe e Sektorit të Analizës dhe Informacionit në Drejtorinë e Analizës së Informacionit në Drejtoreshë të kësaj drejtorie; Arben Joco, nga drejtor i Kufirit dhe Migracionit në Shkodër në Drejtor të Kufirit dhe Migracionit për Tiranën; Altin Merizaj, nga zv/drejtor i Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës në drejtor të Kufirit dhe Migracionit në Shkodër; Ndue Doçi, nga drejtor i Kufirit dhe Migracionit nëDurrës në Drejtor të Migracionit dhe Kufirit në Gjirokastër; Luan Arifaj, nga specialist në Krimet Ekonomike në Drejtorinë për Krimet Ekonomike dhe Financiare në Drejtor të Kufirit dhe Migracionit në Durrës dhe Sokol Cana, nga drejtor i Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër në zv/drejtor të Krimeve në Policinë e Kukësit, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat