Bastisja e banesës në Surrel për gjurmë të Ervis Martinajt, zbulohet kush rezulton pronari i vilës në certifikatën e pronësisë

Shqipëria

Bastisja e banesës në Surrel për gjurmë të Ervis Martinajt, zbulohet kush rezulton pronari i vilës në certifikatën e pronësisë

Më: 8 janar 2023 Në ora: 20:13
Foto ilustrim

Ditën e djeshme RENEA dhe FNSH kanë ushtruar kontrolle në vilën e Ervis Martinajt në Surrel, e cila ndodhet jo shumë larg banesës së kryeministrit Edi Rama.

Kontrollet u zhvilluan me qëllim të gjetjes së gjurmëve të të shumëkërkuarit, ose të sendeve apo të dhënave që mund të çojnë te Martinaj, i cili rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit të kaluar.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, veç disa dokumentave të gjitura, nuk është gjetur gjë tjetër e paligjshme.

Urdhëri për kontrolle në shtëpinë e Martinajt në Surrel është nxjerrë nga SPAK, ndërkohë që policia dhe oficerët e BKH-së, nuk janë përballur me askënd prej familjarëve të Martinaj, por me një person tjetër që pretendonte pronësinë e shtëpisë.

Sipas burimeve të Ora News, shtëpia ishte me certifikatë pronësie të një personi tjetër, F. Vuthaj.

Gjithashtu mësohet se policia dhe BKH-ja janë ndeshur me këtë person, i cili rezulton të jetë pronari i kompanisë së ndërtimit “Vuthaj Sh.p.k”.

Vuthaj u ka treguar hetuesve se vila ishte blerë prej tij në vitin 2017 dhe nga kjo periudhë e në vijim ja ka dhënë me qira përmes një kontrate qiraje, Ervis Martinajt.

SPAK pritet të hetojë edhe vërtetësinë e dokumentacionit të pronësisë së vilës që rezulton të jetë pronë e biznesmenit Vuthaj.

Kujtojmë se gjatë aksionit të saj, policia arriti të sekuestrojë disa dokumente të pronësisë së vilës luksoze dhe një pasaportë që është gjendur në emër të shtetasit Admir Koca, por me fotografi të Ervis Martinajt.

Pasaporta e gjetur në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit është pasaportë e Kosovës dhe raportohet se është i njëjti dokument që u sekuestrua në banesën e Martinajt pas “Masakrës së ish-Bllokut”.

Sjellim në kujtesë se ky ishte kontrolli i dytë në banesat e Ervis Martinajt pas zhdukjes së tij, pas kontrolleve blic të mëngjesit të 26 dhjetorit të vitit të kaluar në shtëpinë e tij në fshatin Fushë-Kuqe të Laçit, ku u gjetën dhe sekuestruan një sërë sendesh të paligjshme, përfshi automatikë, fishekë dhe uniforma policie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat