“Do ketë rritje, na e kanë thënë”, shitësit në Tiranë përgatiten për shtrenjtimin e bulmetit

Shqipëria

“Do ketë rritje, na e kanë thënë”, shitësit në Tiranë përgatiten për shtrenjtimin e bulmetit

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 22:01
Foto ilustrim

“Ka rritje. Do ketë rritje. Na e kanë thënë”.

Nga gati 60 vite jetë, Lirie Vata 40 i ka si shitëse. Ashtu si tregtarëve të tjerë, edhe asaj i është thënë nga furnitorët se çmimi i bulmetit do të rritet sërish: “Kjo periudha është më e shtrenjta dhe më e vështira në të gjitha vitet e punës që kam unë”.

Kjo listë me çmime, që duken të ulëta e krijojnë përshtypjen se kanë vite pa u ndërruar, në fakt është ngjitur në mur vetëm në shtator të vitit të shkuar. Ajo duhet të ndërrohet. Për pak ditë, 1 kilogram djathë dele është njoftuar se do të kushtojë 1050 lekë, 200 lekë më tepër se aktualisht.

Gjithashtu, djathi i dhisë do të rritet me 330 lekë, ndërsa gjalpi dhe kaçkavalli do të kushtojnë 1400 lekë, 200 lekë më shumë se tani.

“As qumësht nuk ka, po as bagëti nuk ka. I kanë hequr të tërë bagëtitë se nuk ka kush t’i kullotë. Konsumatorët kanë ulur blerjet. Ca vijnë këtu dhe nuk marrin asgjë fare”, tregon shitësja.

Për kryetarin e Unionit Tregtar Agro-ushqimor, Theodor Kristuli, faktorët për rritjen e çmimeve të bulmetit janë të shumtë. Ata përfshijnë sa abuzimin e mundshëm të përpunuesve aq edhe mungesën e dorës së shtetit: “Por, ama ka një rritje të çmendur të lëndës së parë që shkakton një shtrenjtim logjik. Ka vite që kemi ngritur alarmin se për shkak të mbështetjes blegtorët po heqin dorë nga bagëtitë. Ca i therin e ca i shesin. Kjo çon më pas në zhbalancim të kërkesës dhe ofertës, duke sjellë shtrenjtim për konsumatorin”.

Në një kohë që Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e kompanive përpunuese të qumështit pas dyshimeve për rritje të bashkërenduar të çmimeve, Kristuli thotë se nga situata mund të dalin më të dëmtuar prodhuesit, fermerët e vegjël në zonat rurale: “Por, ajo që unë kam frikë më tepër në këtë situatë është që ata nuk do kenë mundësi të mbajnë çmimet e larta dhe kjo mund t’i çojë ata drejt falimentimit. Pse? Sepse të gjithë ata që na rrethojnë janë të subvencionuar nga shteti dhe kësisoj janë më konkurrues”.

Si pasojë e mungesës në tregun vendas dhe rritjes së çmimeve nga importi, 1 litër qumësht është shtrenjtuar mesatarisht me 60 lekë në 2 vite. Nga 130 lekë në shkurtin e vitit 2021, çmimi ka arritur në 190 lekë për litër, ndërsa pritshmëritë janë për shtrenjtim të mëtejshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat