“Paratë m’i dha Alda Klosi për t’i ruajtur”, zbardhet dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi që ju gjetën mbi 500 mijë euro në shtëpi

Shqipëria

“Paratë m’i dha Alda Klosi për t’i ruajtur”, zbardhet dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi që ju gjetën mbi 500 mijë euro në shtëpi

Më: 12 mars 2023 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Është zbardhur dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi, që ka dhënë në datën 6 shkurt në Prokurori.

Sipas burimeve për Panorama TV, bëhet me dije se Dobi është pyetur se çfarë ka marrë në këmbim si shpërblim për ruajtjen e eurove dhe dollarëve të Alda Klosit dhe nëse i ka marrë në të vërtetë këto para nga ish-zyrtarja e Kryeministrisë apo jo.

Dobi ka deklaruar se i janë dhënë 10 mijë euro shpërblim për ruajtjen e parave të Alda Klsoit, ndërkohë që hetuesit kanë kërkuar të dinë se ku i ka çuar ajo këto para.

“Lidhur me këtë fakt deklaroj se si shpërblim Alda do më jepte vlerën 10000 euro, si dhe një tharëse rrobash. Deklaroj se pas ditës së enjte, që kisha marrë eurot e dollarët, të dielën në darkë e kam telefonuar Aldën, i kam thënë se a të vijë nesër në punë, ajo më ka thënë po hajde. Të hënën pasdite kam vajtur në banesën e Aldës, kam sistemuar rrobat që i kisha bërë rremujë të enjten, kam pastruar shtëpinë, dhe në fund ka ardhur Alda e cila më ka bërë pagesën e muajit 100 euro, më pas më ka dhënë edhe shumën e shpërblimit 10.000 euro. Për tharësen më ka thënë se do të shikoj se si do më eci puna dhe kur të kthehem nga Amerika do ta blej. Deklaroj se jam e gatshme që të përballem me Aldën dhe t’ia them të gjitha këto që po deklaroj sot dhe ato që kam deklaruar në datë 03.02.2023. Këtë shumë e kam dërguar në shtëpi dhe e kam vendosur në sirtar. Me sa më kujtohet prerjet kanë qenë 200 e 100”, është shprehur Dobi në dëshminë e saj.

Gjithçka nisi pasi Klosi e akuzoi pastruesen e saj Rozeta Dobi dhe djalin e saj, Havier Dobi, se i kishin vjedhur një shumë prej 120 mijë eurosh në banesë.

Ndërkohë gjatë kontrolleve të mëvonshme në shtëpinë e pastrueses, janë gjetur veç 120 mijë eurove edhe një shumë tjetër prej 400 mijë eurosh në tubin e aspiratorit.

Rozeta dhe Havier Dobi ndodhen në paraburgim dhe ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për ta deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë në qeli ndodhet edhe ish-zyrtarja e Kryeministrisë, Alda Klosi, e cila akuzohet për “pastrim parash”, “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë” dhe “deklarim të rremë përballë OPGJ”.

Klosi ndodhet e arrestuar që prej 3 shkurtit pas dëshmisë së dytë të dhënë në polici nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila pranoi se edhe shuma tjetër e parave mbi 400 mijë euro që u gjet në banesën e saj janë të Alda Klosit.

Sanitarja tha për hetuesit se kishte bashkëpunuar me Klosin dhe se paratë ia kishte dhënë vetë ajo për t’ia ruajtur pasi kishte konflikte me ish-bashkëshortin.

Por avokati i Alda Klosit thotë se është deklarim i rremë.

Vetë Alda Klosi nëpërmjet avokatit të saj i ka mohuar akuzat ndërsa gjykata vendosi ta lërë në masën “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.

Më herët avokati mbrojtës i saj Ilirjan Muho dorëzoi ankimin në Shkallën e Dytë.

Avokati ka kërkuar lirinë e Alda Klosit duke arsyetuar se ajo ka në kujdestari dy fëmijë të mitur për të rritur dhe nënën e saj të verbër, për të cilën duhet të kujdeset.

Policia vuri në sekuestro një garazh dhe një apartament në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, në pronësi të ish-zyrtares Alda Klosi.

Ish zyrtarja pasi ka qëndruar disa ditë në QSUT është transferuar për në paraburgimin 325 në kryeqytet ku do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve në rast se apeli nuk vendos ti zbusë masën e sigurisë.

Ish-zyrtarja Alda Klosi është marrë në pyetje në ambientet e burgut 325, aty ku ndodhet që prej arrestimit.

Ishte hera e parë që Klosi nga oficerët e policisë gjyqësore që prej momentit të arrestimit, pasi Klosi shfaqi edhe probleme kardiake dhe u shtrua disa ditë në spital.

Në dëshminë që është marrë të enjten e 16 shkurtit, Klosi i ka qëndruar pretendimeve të mëparshme se pastruesja Rozerta Dobi i ka vjedhur nga shtëpia 120 mijë eurot, ndërsa pjesa tjetër e parave që pastrueses iu gjetën në tubin e aspirimit, 400 mijë euro thotë se nuk janë të saj.

Klosi ka thënë para hetuesve se paratë janë të xhaxhit të saj, ndonëse bie në kontradiktë me dëshminë që i vëllai saj ka thënë në fillim se paratë ia ka marrë ai një biznesmeni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat