Unë protesoj…

Shqipëria

Unë protesoj…

Nga: Lekë Imeraj Më: 18 mars 2023 Në ora: 12:52
Lekë Imeraj

Sapo kisha mbaruar maturën, me razultate shumë të mira. Kisha menduar që të vazhdoja studimet për drejtësi, diku jashtë shtetit. E dija që prindët e mi, nuk kishin mundësi të më investonin por, kjo ishte ëndrra dhe dëshira ime. Hoqa dorë, me mendimin, ndoshta, dikur më vonë. Fillova punë në një restaurant, si kamariere. Ndër klientët e tjerë që vinin aty rregullisht, ishte edhe një burrë, rreth të dyzetave. Hiqej kavalier i madh. Kishte gjithmonë shumë para në dorë. U njoha me atë. Diçka më pëlqeu tek ai dhe pavarësisht nga diferenca rreth 20 vjet në moshë, u lidhëm bashkë.

Mësova se quhej Baftjar. Ishte i ardhur në Tiranë, pas viteve 1990. Më premtoi shumë mrekulli, të cilat nuk ndodhën kurrë. Më premtoi parajsën, por unë përjetova ferrin. Nga martesa lindëm dy fëmijë.

Nuk dua të flas për ferrin me Baftjarin. Nuk dua t’a kujtoj se është një tmerr i vërtetë.

Përfundimisht u ndamë, me vendim gjykate. Në Shqipëri, ndarja në gjykatë, nuk është problem. Problemet e mëdha dhe terrori i vërtetë i burrit mbi ish gruan, fillon pas ndarjes. Duket se kjo kulturë dhune, është ajo e botës patriarkalo-orientale.

Kishim më shumë se një vit që ishim ndarë.

Një natë bashkë me dy shoqe, shkuam në një darkë festive. Gjithçka po shkonte shumë mirë. Dikur, vura re një burrë, i cili nuk po m’i ndante sytë. Nuk i kushtova vëmendje. „Kështu e kanë burrat, të shqyejnë sytë pas grave“, mendova unë dhe i futa një mendje të lehtë.

Dikur, burri enigmë erdhi tek unë dhe çuditërisht, më kërkoi falje. „Kam ardhur këtu, me porosi të Baftit (Baftjarit) që të hedh një sy mbi ty“, tha ai dhe u largua.

Se nga e kishte marrë vesh Baftjari, që unë ndodhesha në atë mbrëmje, edhe sot nuk e di.

Pas mbrëmjes, njëra nga shoqet e mia, mori në telefon vëllain e vet, dhe me veturën e tij, shkova në shtëpi.

Të nesërmen e kisha pushim.

Në orën shtatë, dëgjoj zilen e telefonit. Ishte Baftjari.

„Unë e di ku ke qënë mbrëmë, me kë ke qënë, kur dhe me cilin je kthyer në shtëpi, pa më thënë gjë mua. Ti po kërkon burrë, por t’a tregoj unë ty burrin. Si guxon ti, të shkosh në darka, pa më thënë gjë mua?“

„Bafti, ne jemi ndarë, nuk kemi asnjë lidhje dhe asnjë detyrim ndaj nëri-tjetrit. Të lutem më ler rehat dhe zbato detyrimet ligjore!“

Kur u ndamë, gjykata, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e tij ndaj meje, vëndosi edhe disa detyrime ndaj tij, në mardhëniet tona. Ai nuk guxonte të më telefononte, të më gjurmonte dhe as t‘i afrohej më shumë se 100 m. banesës time. Takimin me fëmijët, ai do ta kryente me ndërmjetësimin e prindëve të mi.

Kurrë nuk i zbatoi këto detyrime. Megjithëse kisha njoftuar disa herë policinë dhe gjykatën, asgjë nuk ndryshonte. Ai vazhdonte të më ndiqte dhe terrorizonte, gjithnjë e më shumë.

Më shau në telefon me fjalët më të ndyra, më kërcënoi. Dikur ia mbylla telefonin. Mendova të njoftoja policinë, por hoqa dorë. Ishte e kotë. Sa herë njoftoja policinë, më ndodhte një diçka më e keqe nga ai. Mendova se gjithçka u mbyll me kaq. Mora një dozë qetësuesësh dhe u shtriva në krevat. Nuk e mendova fare, se pas telefonatës mund të ndodhte një tragjedi e madhe.

Pas, rreth dy orësh, dëgjoj ulurimat e tij në koridor. Ah, Bafti, mendova unë. Po tani?

Po, ai ishte. Me siguri ai kishte një çelës kopil të apartamentit tim. Unë u ngrita nga krevati rrufeshëm dhe shkova në kuzhinë. Ai vrapoi pas meje. Më mbërtheu për krahu dhe më tërhoqi fort.

Me njërën dorë më mbërthu në fyt, dhe me dorën tjetër hapi sirtarin ku i mbaja thikat e kuzhinës. Skena të përafërta kisha përjetuar mjaft, gjatë jetës bashkëshortore, por kisha mbijetuar. Ai e kishte fshirë sa herë dyshemenë e shtëpisë me trupin tim, duke më tërhequr zvarrë.

Mora telefonin që të njoftoja policinë. Ma mori nga dora dhe e përplasi në mur. Telefoni u bë copa. „Ti, k***ë e qelbur, policia dhe gjykata janë me mua. Ata nuk mbrojnë kurvat si puna e jote“, më tha ai. Ishte e vetmja thënie e tij që ia besova. Po, gjykata dhe policia mbronin atë, kriminelin, jo mua, viktimën.

„Hë, më trego tani, kush është ai qelbanik që të q*n ty?“, vazhdoi ai. Unë mbrohesha me mundësitë e mia dhe fillova të bërtisja me të madhe: Ndihmë, ndihmë! Në dorën e djathtë mbante thikën, me dorën e majtë më mbërthu fort në fyt dhe më ngjeshi pas dritares.

Mundohesha të mbrohesha, duke ia ngulur thonjtë, në krahë dhe fytyrë. Ulurija gjithënjë e më shumë. Ai nuk tërhiqej nga sulmi mbi mua. E kuptova se, ndryshe nga herët e tjera, kishte ndërmend një diçka shumë të rrezikshme për jetën time.

„Hë pra, më thuaj! Kush është ai qelbaniku? Mos të të gënjejë mendja kot se do të jetosh me një tjetër. Ti nuk ke për të gëzuar burrë tjetër. Nëse unë jo, edhe ai tjetri jo.“ Përseriste ai vazhdimisht, duke më shtërnguar sa më shumë në fyt.

Dikur rash pa ndjenja. Kur u përmenda, e pash veten jashtë, poshtë dritares time, rreth 3 m. lartësi nga toka.

„Po, ai paska ardhur tek unë që të më vrasë mua“, mendova unë dhe u përpoqa të ngrihesha dhe t’ia mbathja me vrap.

Nuk mundesha, nuk më mbajtën këmbët. Isha dëmtuar diku në trup. Sapo arrita të ulesha, para meje u shfaq ai, me thikë në dorë. Më kapi për flokësh, më tërhoqi fort që të më ngrinte por, nuk mundesha. Follova të ulurija për ndihmë. Ai ma mbylli gojën, u përkul mbi mua, më mbërtheu fort në flokët, m’a tërhoqi kokën pas dhe me thikën e bukës, më preu, në anën e djathtë të qafës. Ishte një rastësi fatlume për mua që nuk m’a preu damarin kryesor të qafës. Gjaku filloi të më rridhte curril. U mundova që, me jakën e këmishës së natës, ta bllokoja gjakun.

Ai bërtiste: „Ngrihu! Ngrihu po të them!“

Unë, me të vërtetë u ngrita. Ai më mbështeti pas murit. Vazhdonte të më sulmonte me thikë. Unë mbrohesha me duar dhe këmbë, sa mundesha. E ndjeva se më plagosi rëndë në dorën e djathtë. M’u paralizua krahu. Në përleshje e sipër, dëgjova zerin e një burri: „Lëshoje gruan! Kriminel! I Çmendur!“ Papritur, Baftjari u shemb përtokë, sikur t’i kishte rënë rrufeja. Më vonë e mësova, se ai burri, e kishte goditur Baftjarin me një levë hekuri në kurriz.

Isha larë e gjitha në gjak. Dikush nga fqinjët më dha një peshqir. U mblodhën shumë njerëz. Secili në mënyrën e vet, mundohej të më ndihmonte.

Në spital vazhdoja të ulurija. Vetëm përserisja refrenin: „Dua të shkoj te fëmijët e mi!“ Më kishte pushtuar frika për fëmijët, më dukej se nuk do t’i shihja më. Kisha frikë se ai do të m’i vriste fëmijët. Edhe tani, pas tetë muajsh, ndihem shumë keq. Shenja e plagës në qafë, është e dukshme. Kam vështirësi në përcjellje të ushqimit. Dora nuk funksionon.

Pasditeve nuk dal kurrë nga shtëpia. Edhe kur dal, vazhdimisht e kthej kokën prapa. Ndiej sikur dikush më ndjek. Marr vazhdimisht antidepresivë, ilaçe gjumi, megjithatë nuk fle dot. Gjithkund dhe vazhdimisht dëgjoj ulurimat e tij.

Gjatë procesit gjyqësor, mësova shumë të vërteta mbi Baftjarin. Ai e kishte vrarë gruan e vet të parë. Ishte dënuar dhjetë vjet, por me gjykim të shkurtuar, pas tri vitesh, ishte liruar. E tmerrshme! Çfarë ligjesh dhe drejtësie kemi ne!? Si mund të lirohet kaq shpejt vrasësi i një gruaja, sikur ka vjedhur një lopë? Unë isha gruaja e tij e katërt. Të gjitha i kishte dhunuar psikikisht dhe fizikisht. Unë, megjithëse jetova dymbëdhjetë vjet me atë përbindsh, asgjë nuk dija nga e kaluara e tij.

Lexues të dashur, unë nuk po ua tregoj këtë tragjedi të jetës time si kuriozitet, as për mëshirë nga ana juaj, edhe nëse dikujt i rrjedh ndonjë pikë loti.

Jo!

Unë protestoj! Protestoj në emrin tim, të jetës time, të vajzave dhe grave në trojet shqiptare.

Protestoj kundër kulturës patriarkalo-orientale, një mbetje kjo e Perandorisë Osmane, në të gjitha trojet shqiptare. Kjo është kultura e poshtërimit të femrës, e shndërrimit të saj në asgjë, në një send të burrit.

Protestoj kundër politikës naive, e cila, liritë dhe të drejtat e gruas i ka futur në sirtarin e fundit. Kundër politikës, që akoma nuk e ka kuptuar se, liritë dhe të drejtat e gruas, janë liritë dhe të drejtat e njeriut. Politika jonë, ndyrshe nga ajo e vendeve demokratike, nuk e ka kuptuar se në trojet shqiptare, meshkujt ushtrojnë femicid. Femicidi nuk njihet në legjislacionin tonë.

Protestoj kundër drejtësisë shurdhmemece, kundër gjyqtarëve të korruptuar, të cilët, në vend që të shikojnë dhe zbatojnë ligjin për liritë dhe të drejtat e gruas, nxjerrin kokën në dritare dhe numrojnë viktimat e grave nga sadistët meshkuj.

Protestoj ndaj policisë, gjithmonë e vonuar, kur është fjala për rrezikun e jetës së gruas.

Protestoj ndaj lëvizjeve feministe dhe OJQ-ve, të cilat organizojnë demonstrata edhe për të drejtat e qenve, por kurrë për liritë dhe të drejtat e gruas, edhe në rastet kur ka vrasje masive të grave.

Protestoj kundër klerikëve muslimanë, të cilët vazhdimisht propagandojnë dhunën mbi gruan. Ata janë shumë më të interesuar, si e mbulojmë ne femrat kokën se sa për kokat tona.

Autori - shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat