Zbulohet identiteti i dy prej atentatorëve të masakrës së Don Boskos! Ja itinerari që ndoqi një nga autorët, udhëtoi nga Gjermania në Prishtinë

Shqipëria

Zbulohet identiteti i dy prej atentatorëve të masakrës së Don Boskos! Ja itinerari që ndoqi një nga autorët, udhëtoi nga Gjermania në Prishtinë

Më: 11 prill 2023 Në ora: 08:21
Foto ilustrim

Policia ka zbuluar ditët e fundit se një nga personat e dyshuar për masakrën e Don Boskos, ku nga sulmi me armë në lokalin e të shumëkërkuarit Fatjon Murati mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja, ka udhëtuar një javë përpara krimit, nga Gjermania në Prishtinë dhe ka hyrë në vendin tonë në fundjavë duke mos u regjistruar në TIMS. 

Sipas hetuesve, personi i dyshuar me rekorde të theksuara kriminale e ka bërë këtë lëvizje me qëllim për të fshehur gjurmët dhe përfshirjen në ngjarjen e rëndë. Policia thotë se ka siguruar të dhëna në rrugë konfidenciale, që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve të mundshëm të ngjarjeve.

Grupi i hetimit është fokusuar te dy emra konkretë, bën me dije “News 24”, njëri prej të cilëve i ka mbijetuar më herët një atentati, ndërsa tjetri është personazh jo shumë i njohur, por dyshohet të jetë përfshirë në këtë ngjarje për motive hakmarrje.

Aktualisht, grupi i hetuesve ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në qarkun e Tiranës, në Fushë-Krujë e Durrës dhe po i këqyr me kujdes për të rindërtuar trajektoren e lëvizjeve të autorëve para dhe pas ngjarjes, pasi në këtë mënyrë do të mund të zbulojë se prej nga u nis automjeti për të kryer masakrën.

Atentati në Don Bosko dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrje ndaj vrasjeve të ndodhura në Tiranë, Fushë-Krujë, Laç e Lezhë, ku në shënjestër ishin njerëzit e Ervis Martinajt. Kjo vijon të jetë ende pista më e fortë që ka Prokuroria. Ngjarja u shënua mbrëmjen e të dielës së 12 marsit, kur dy persona të armatosur me kallashnikov qëlluan me breshëri mbi lokalin në pronësi të Fatjon Muratit në rrugën ‘Anastas Shundi’.

Nga breshëria e armëve humbi jetën banakierja Mimoza Paja, mbeti e lënduar mbesa e saj 10-vjeçare, u plagos xhaxhai i Fatjon Muratit dhe 5 persona të tjerë. Atentatit i mbijetoi vëllai i Fatjonit, ndërsa ky i fundit, i cili do të duhet të ishte në arrest shtëpie, u arratis dhe mendohet të jetë larguar nga Shqipëria në Kosovë e prej andej në Turqi.

Fatjon Murati në arrati

E ndërkohë që Policia jep shenjat e identifikimit të atentatorëve të sulmit me armë ku u vra një grua dhe u plagosën 6 persona të tjerë, Fatjon Murati vijon arratinë në drejtim të paditur sipas Policisë, ndonëse ishte në masë arresti shtëpiak.

Ai u arrestua më 8 tetor nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim se zotëronte një arsenal armësh, të kapur nga Policia më 13 korrik. Murati ka qenë duke lëvizur në një makinë të blinduar, me Indrit Doklen dhe kunatin e tij, Gentian Ruçi.

32-vjeçari Murati ishte shpallur në kërkim nga Policia sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme, ditën kur u zbulua edhe baza e armatimeve në Tiranë, që i përkiste Kristjan Gjinit. Murati ka deklaruar se nuk ka lidhje me arsenalin e armëve, por sipas tij gjithçka është aksidentale.

Murati ka deklaruar para togave të zeza se njihet me Kristjan Gjinin dhe para disa kohësh i ka marrë makinën. Sipas tij, ai ka pastruar pjesën e pasme të makinës së Gjinit, ku ka lëvizur edhe ca kuti letre, te të cilat dyshon se ka mbetur gishti, por ai ka thënë se nuk kishte dijeni se çfarë kishin brenda.

Murati vijon të qëndrojë në burg, ndërsa Dokle dhe Ruçi janë liruar. Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit.

Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje meatentatin dhe më pas është lënë i lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat