Pesë shoqata të biznesit të huaj kërkojnë nga qeveria paketë antikorrupsion : Ryshfeti po na mbyt

Shqipëria

Pesë shoqata të biznesit të huaj kërkojnë nga qeveria paketë antikorrupsion : Ryshfeti po na mbyt

Më: 11 prill 2023 Në ora: 14:48
Foto ilustrim

Pesë shoqata biznesi, të bëra bashkë në një deklaratë, shprehen të shqetësuara për klimën e biznesit në vend. Dhoma Amerikane, ajo gjermane, italiane, franceze e Tregtisë, si dhe Confindustria shprehen se mjedisi aktual është joefikas dhe ka nevojë për përmirësime të konsiderueshme, duke dhënë propozime konkrete për qeverinë.

Një nga kërkesat kryesore është zbatimi i një pakete, që ka në thelb luftën ndaj korrupsionit dhe masa ndëshkuese kundër ryshfetit. Kjo paketë sipas tyre, do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht, të kompanive të huaja që operojnë në Shqipëri.

Një tjetër shqetësim janë procedurat e Prokurimeve Publike. Bizneset kërkojnë eliminimin e procedurave të veçanta nga prokurimi i fondeve publike, duke rritur më shumë transparencën në procese të tilla. Për të thithur sa më shumë investime të huaja, shoqatat kërkojnë krijimin e një strategjie investimi që të shmangë burokracitë.

Si edhe çdo vit tjetër, shqetësimi i komunitetit të biznesit të huaj, por edhe atij vendas, mbetet ndryshimi i shpeshtë i politikave tatimore.

Grupet e interesit kërkojnë që regjimi i taksave të jetë i parashikueshëm dhe të mos ndryshohet çdo vit.

Me këto masa të marra, sipas shoqatave, klima e biznesit në Shqipëri do të jetë më e favorshme dhe do të thithen më shumë investime të huaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat