Berisha: Atentati i dështuar ndaj Salvator Kaçit, vepër kryekëput e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut

Shqipëria

Berisha: Atentati i dështuar ndaj Salvator Kaçit, vepër kryekëput e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut

Më: 14 maj 2023 Në ora: 21:58
Sali Berisha

Kreu i Rithemelimit Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama së bashku me qeverinë dhe kandidatin e Lezhës, Pjerin Ndreu, si përgjegjës për atentatin ndaj ish-kryetarit të komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçi, në aksin rrugor Lezhë-Milot.

“Fushata elektorale është karakterizuar nga akte dhune, terrori të papara ndaj përfaqësuesve, zyrtarëve, deputetëve të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

Siç keni konstatuar, ne kemi ndjekur një linjë, duke regjistruar çdo akt terrori, çdo akt, çdo përpjekje për blerje masive votash, të proporcioneve të paimagjinueshme, gjer në oferta sot në mëngjes thuaj ‘sa do, euro për votën’, por këto sigurisht janë të dokumentuara dhe evidentuara dhe kemi informuar rregullisht vëzhguesit ndërkombëtarë. Kemi informuar KQZ, kemi informuar organet.

Por unë sot dola para jush për një rast kriminal të jashtëzakonshëm, ku Salvator Kaçit, një nga eksponentët kryesorë të PD në Lezhë, ish-kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, njeri me një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e sportit, e kanë ndjekur dy makina pa targa, ku ai ka qenë bashkë me djalin e vet dhe shoferin.

Persona të maskuar, të armatosur kanë dalë nga makina dhe janë bërë gati të qëllojnë mbi ta. Shoferi i Salvatorit, një ish-gardist i sprovuar ka arritur të manovrojë me makinë dhe t’i bëjë të pasigurtë në atentatin e tyre.

Ata e kanë ndjekur mbrapa me armë në dorë që t’i vrisnin, nuk kanë arritur. Por të gjitha këto janë të filmuara.

Unë ju them ju se dje dhe pardje, bandat e Pjerin Ndreut kanë terrorizuar zonë pas zone rrethin e Lezhës dhe e kanë bërë këtë akt, i kemi të filmuara, në shoqërim nga policia, e cila kalonte afër dhe as që iu thoshte, përkundrazi krijonte përshtypjen te banorët se po bënte sigurimin e banditëve.

Pra, kjo ka qenë situata në Lezhë që kulmi me përpjekjen për eliminimin fizik të Salvatorit dhe djalit të tij, që është shtetas amerikan dhe ka ardhur për të votuar me familjen e vet.

Ky atentat i dështuar ndaj Salvator Kaçit është vepër kryekëput e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut.

Edi Rama, siç e dini, u mor personalisht me Salvatorin në në fjalimin e tij në Lezhë, në një kohë kur Salvatori krahas mbështetjes ndaj kandidatit Pashk Gjoni, ka zbatuar gjithë jetën e tij rregullat dhe ligjet elektorale dhe nuk ka asnjë veprim të paligjshëm.

Por mbështetja për Pashk Gjoni nga Salvatori ka kërcënuar zgjedhjen e banditit Pjerin Ndreu dhe kanë krijuar bashkë me Ramën një mënyrë për eliminimin e tij bashkë me djalin në makinë.

Ky akt është një krim i shëmtuar, personalisht i Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut, me të cilin ata kanë synuar me çdo kusht dhe çdo çmim të ndryshojnë rezultatin në Lezhë nëpërmjet një akti të tillë dhe natyrisht eliminojnë fizikisht një kundërshtar të shpallur nga Edi Rama si njeri të rrezikshëm për rezultatin e tij në Lezhë.

Unë dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt. Sigurisht që ky është akt kulmor në terrorin ndaj drejtuesve të PD, por raste të tjera me kërcënime të forta dhe të egra ekzistojnë dhe ne do i bëjmë publike.

Theksoj se të gjitha këto akte dhune të bandave janë përcjellë me indiferencë të plotë ose mbështetje nga policia. Salvatori ka bërë denoncimi dhe janë marrë edhe kamerat ku duket qartë gjithçka”- tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat