Menaxhimi i Vjosës/ Plani do të sjellë disa kufizime në bujqësi dhe turizëm

Shqipëria

Menaxhimi i Vjosës/ Plani do të sjellë disa kufizime në bujqësi dhe turizëm

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 12:31
Foto ilustrim

Plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës ka hyrë tashmë në fazën e dytë ku po mbahen dëgjesa publike me banorë të luginës që laget nga Vjosa dhe degët e saj tashmë të mbrojtura. 

Ekspertët janë duke tërhequr vëmendjen për një seri çështjesh me impakt për komunitetin si dhe janë duke hulumtuar për zgjidhje të qëndrueshme mbrotjeje dhe zhvillimi të parkut të vetëm lumor në Europë.

Do të jemi gjatë gjithë luginës së Vjosës, për të parë potencialin turistik, për të parë shqetësimet ose kërkesat e komuniteve që jetojnë përgjatë luginës së Vjosës dhe se si ata mund të përfitojnë nga Parku Kombëtar”, tha Besjana Guri e Ecoalbania.

Takimet po sjellin në vëmendje rezultatet e planit të fizibilitetit për shtratin dhe katër prej degët Bënçën, Drinon, Kardhiqin dhe Shushicën si dhe opinionin e ekspertëve sa i takon kufinjve të parkut në fazën e parë të mbrotjes. Plani i menaxhimit që po krijohet në funksion të zhvillimit synon lehtësi për aktivitetet në natyrë, rekreacionin dhe turizmin e qëndrueshëm. Plani do të sjellë disa kufizime për bujqësinë sidomos sa i përket përdorimit të pesticideve por përfitimet sipas ekspertëve do të jenë shumë më të mëdha se humbjet.

Jemi duke marrë dëgjesat publike me komunitetin, me bashkinë, me grupet e interesit dhe operatorët turistit të Vjosës dhe duke bashkuar idetë e tyre dhe tonat do të hartohet plani për lumin”, tha Gligor Dushi drejtor i Zonave të Mbrojtura.

Unë besoj se ky është një lumë unik për Shqipërinë, Europën dhe botën sepse është një nga lumenjtë e fundit që rrjedhin të lirë në këtë pjesë të botës. Kur flasim për plane zhvillimi kemi parasysh avantazhet për zhvillim të një lumi me cilësi fantastike kombinuar me resurse të tjera të zonës siç është trashëgimia kulturore dhe Gjirokastra e mbrojtur nga UNESCO. Sigurisht në aspektin e përfitimeve për komunitetin do të ketë plane të detajuara shoqëruar me përmirësime në infrastrukturë, nxitje të ecoturizmit. Sigurisht do të ketë edhe aktivitete të ndaluara por përfitimet prej parkut janë gjithnjë më të mëdha”, tha Andrej Sovinc, koordinator për planin.

Niveli i ndotjes për Vjosën dhe degët e saj është një tjetër çështje që plani i menaxhimit do të duhet të adresojë krahas kthimit të parkut në një hapësirë që gjeneron të ardhura për banorët e pranë lumit në të 12 bashkitë që lag Vjosa.

Në habitatin e Vjosës shkencëtarët kanë identifikuar rreth 1100 specie shpendësh dhe kafshësh të rrallë përfshi këtu edhe 13 specie kafshësh e 2 bimësh të kërcënuara globalisht.

Shpallja e Vjosës “Park Kombëtar” ka qenë një nga fitoret më të mëdha të shoqërisë civile në Shqipëri.

Vjosa lumi i fundit i egër i Europës falë aktivizmit u bë pjesë e një lobimi të madh edhe në nivel ndërkombëtar fushatë që përfshiu edhe organizata të tilla si River Watch apo personalitete në zë të kulturës dhe artit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat