Kumbaro: 42% më shumë vizitorë të huaj në periudhën janar-maj 2023

Shqipëria

Kumbaro: 42% më shumë vizitorë të huaj në periudhën janar-maj 2023

Më: 17 qershor 2023 Në ora: 10:22
Foto ilustrim

Shqipëria vazhdon të tërheqë numër të lartë vizitorësh të huaj, të cilët në periudhën janar-maj të këtij viti kanë qenë 42% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi sot të dhënat e numrit të vizitorëve gjatë periudhës janar-maj 2023, të krahasuara ato me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kumbaro tha se vizitorët e huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë në pesë muajt e parë të këtij viti, janë 42% më shumë se viti i kaluar “duke premtuar për më shumë turistë në pikun e sezonit veror ku po hyjmë”.

Sipas të dhënave në periudhën janar-maj 2023, Shqipëria u vizitua nga 2.389,899 vizitorë të huaj, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022 nga 1.677,691 vizitorë të huaj.

“Po ashtu në maj të 2023 vendi ynë u vizitua nga 705 079 vizitorë të huaj dhe në maj 2022 nga 604 430, pra 17% më shumë”, u bë e ditur në videon e publikuar nga Kumbaro në Facebook.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Po ashtu, Shqipëria ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistike të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës, shkruan Atsh. Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare, të cilat thithin turistë nga e gjithë bota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat