“Raportim maskilist i seksit nga media”, Artan Fuga: Edhe në autokritikë e paraqet veten si forca aktive, mentalitet i naçove të lagjes

Shqipëria

“Raportim maskilist i seksit nga media”, Artan Fuga: Edhe në autokritikë e paraqet veten si forca aktive, mentalitet i naçove të lagjes

Më: 17 qershor 2023 Në ora: 22:35
Artan Fuga

Akademiku Artan Fuga përmes një postimi në Facebook ka shprehur mendimin e tij për raportimin e video skandalit të ish-kreut të bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, duke e cilësuar si raportim maskilist i seksit në media.

Fuga u shpreh se në vend sundon maskilizmi, pasi sipas tij në raportimin e kësaj ngjarjeje në media veprimi i jepet mashkullit, pra Gjicit në këtë rast.

Ai shtoi se madje edhe vetë Gjici në autokritikën e vet publike e paraqet sikur ai ishte forca aktive seksuale, “sepse burrat ashtu kujtojnë kur janë nën trusnitë e mendësisë maskiliste!”

Sipas Fugës vazhdon “mentaliteti i naçove të lagjes”, ku është mashkulli që bën seks me femrën, dhe jo edhe femra me mashkullin, ndërsa shtoi më tej se çështja duhet të trajtohet në mënyrë më bashkëkohore.

Postimi i plotë:

Raportimi maskilist i seksit në media

Në çaste krizash të vogla ose të mëdha dalin në pah mendësitë e një shoqërie.

Cfarë maskilizmi që sundon, çfarë shoqërie patriarkale jemi, çfarë dominimi kanë meshkujt!!!

Thuhet se S.GJ. po bënte seks me një femër, etj. etj. Nëpër portale a gjetiu thuhet se po abuzonte me të, etj. Por, të gjithë veprimin ja japin mashkullit.

Si nuk gjeta një media të thoshte se zotërinë po e përdorte për seks një femër, ose ajo femra po bënte seks me personin në fjalë, po e konsumonte seksualisht m’u në zyrën e tij, po të donte le të thoshte se edhe po e përdhunonte atë të shkretin, po e përdorte.

Madje edhe personi në fjalë në autokritikën e vet publike e paraqet sikur ai ishte forca aktive seksuale, sepse burrat ashtu kujtojnë kur janë nën trusnitë e mendësisë maskiliste! Me atë po kënaqeshin m’u në zyrën e tij. Po e përdhunonin edhe zyrën!

Vazhdon mentaliteti i naçove të lagjes që është mashkulli që bën seks me femrën, dhe jo edhe femra me mashkullin!

Cfarë studimi mund të bëhet në këtë rast!!! Mrekulli!

Si nuk doli një gazetare grua të thoshte ore ai po bënte seks me atë po aq sa edhe ajo me atë! Ta korrigjojë pak, ta redaktojë pak lajmin a kronikën!

Jemi bërë të botohet përsëri Shqiptarja e Re! Ndofta e trajton çështjen në mënyrë bashkëkohore si erotizëm i përbashkët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat