Berisha flet për largimin e Yuri Kim: Duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve

Shqipëria

Berisha flet për largimin e Yuri Kim: Duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 15:59
Ish-kryeministri, Sali Berisha

Ish-kryeministri, Sali Berisha, foli nga foltorja e parlamentit në lidhje me largimin nga Shqipëria të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Berisha vijoi akuzat ndaj diplomates amerikane, për të cilën tha se duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve që u kthye në një sekretare të PS-së gjatë mandatit të saj.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se ambasadorja Yuri Kim abuzoi me pushtetin e përfaqësimit të saj dhe bëri gjithçka për të shkatërruar opozitën.

Fjala e plotë

Sot për krahun këtej, kam një lajm të hidhur, do mërziten shumë sepse sot për herë të dytë në historinë e SHBA-së në një akt shumë të rrallë dhe historik, kryeministri i Indisë, Modi, një burrë shteti i sanksionuar pak vite më parë, i drejtohet Kongresit të SHBA-së, me një fjalë të veçantë.

Këtë shans e ka pasur tre herë me radhë, gjeniu i politikës botërore, Uinston Çërçill, për së dyti kanë qenë të rrallë, të jashtëzakonshëm.

Nuk e solla këtu këtë, për të bërë ndonjë paralelizëm mes Modit, dhe Sali Berishës, ndonëse e vërteta është si diamanti, i madh ose i vogël, shkëlqen pandalshëm dhe e vërteta triumfon në çdo lloj rrethane.

Po e solla për diçka tjetër. E solla për një kërkesë ndaj guvernatores Yuri Kim, që po largohet nga Shqipëria. T’u kërkojë falje shqiptarëve se në mënyrë të përsëritur u ka deklaruar atyre se, ky vendim sanksionimi nuk hiqet kurrë. Ftesa ime nuk ka lidhje me ndonjë rivendikim timin, por ka lidhje thjeshtë për t’i thënë asaj të nderuar që të kthehet tek e vërteta para se të largohet nga Shqipëria.

Në prag të largimit nga Shqipëria, duhet t’i them zonjës guvernatore se në historinë e pluralizmit dhe lirisë së këtij kombi, emri i saj do të mbetet i gdhendur si i një personi që abuzoi me pushtetin e përfaqësimit të vendit të vet dhe që së bashku me Edi Ramën, bëri gjithçka për të shkatërruar opozitën e vërtetë shqiptare, natyrisht, e dëmtove, por dështove.

Nga ana tjetër me qëndrimet tuaja dhe bashkërendimin me qeverinë e narkotrafikantëve të Edi Ramës, je e vetmja ambasadore në 32 vite që largohesh nga ky vend e cilësuar gjerësisht si sekretare e PS-së, kjo nga unë.

Së treti mendoj se këto pak ditë apo orë që kanë mbetur, kërkoji ndjesë shqiptarëve për McGonigal, jo vetëm për sintoninë e veprimeve tuaja kundër opozitës shqiptare, por se në njërin nga skandalet më të mëdha të kohërave, nuk shqiptove, nuk u the atyre, një fjalë të vetme për këtë skandal, duke i shumëzuar kështu në mënyrën më të pamerituar me zero, si shoqëri dhe si komb.

Së fundi, si një admirues, i palëkundur i vendit të madh të lirisë, SHBA, më duhet të shpreh keqardhje të thellë se, ju të vetmin ‘sukses’ që merrni me vete është dëmtimi thelbësor me qëndrimet tuaja të reputacionit të shkëlqyer që kanë pasur dhe përsëri do të ketë, kombi dhe vendi i madh i lirisë në Shqipëri.

Tani të kalojmë pak tek raporti i zonjës, Erisa Fero, apo drejtoreshës reale të AKSH-it. Nëse ka një gropë të zezë, të vërtetë të korrupsionit në Shqipëri është kjo zonjë dhe kjo agjenci.

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim flagrant me moralin, Erisa Fero, që ka një emër tjetër, por është ish-ndihmësja e saj me trafikantin, u kap me 60 kg kanabis në makinë, ka bërë 942 transaksione sekrete të parave të shqiptarëve, në një kohë kur ligji asaj nuk i njeh asnjë të drejtë.

942 transaksione sekrete. Kjo është një njeri që vjedh në errësirë, çdo natë, çdo ditë, sikur i ka paratë e veta dhe i ka ndarë këto para me Armando Frangun e Edi Ramës, i ka ndarë këto para me mafian rajonale të Edi Ramës, sikur ti kishte të vetat.

Një vend që nuk ka drejtësi, dhe drejtësia komandohet nga një njeri, mund të bësh siç duash, siç bën kjo zonja. Por në çdo vend tjetër, kjo do të ishte për këto e dënuar me dhjetëra vite në burgjet e vendit.

Por këtu kemi një SKAP që i ka mbyllur sytë me shaminë e partisë. Dhe i dëgjoj shpeshherë gazetarët të më thonë, se pse nuk i çoni në Skap ju këto. Po ju pyes unë ju të dashur qytetarë, janë të dhëna sekrete këto? Jo mo jo, i lexojmë të gjitha në dokumente zyrtare, por SKAP-i nuk ka sy për të lexuar sepse ia ka verbuar sytë e mendjes, sepse mjafton të ngarkojë një sekretare të lexojë publikimet e Agjencisë Kombëtare të Prokurimeve Publike, mjafton të lexojë Gazetën Zyrtare dhe të procedojë. Po SKAP-i preferon shaminë me të cilën ka lidhur sytë dhe gjoja shërben shqiptarëve. A ka gjë me qesharake, më të turpshme.

942 transaksione sekrete, me ligj nuk i takon asnjë i vetëm. Kujt, kësaj zonjës që depoziton në selinë e PS-së të dhënat personale, të 1  mln shqiptarëve, kësaj zonje që nxori në treg të gjitha targat për bandat dhe kriminelët, kësaj zonje, e cila nga mëngjesi deri në darkë luan bixhoz, pasurohet me paratë e qytetarëve shqiptarë dhe e ka shndërruar sistemin e Shqipërisë, në një sistem kashte.

Ajatollahët ndërmorën një sulm, por sulmet më të egra i ndërmorët ju. Ju nxorët targat, ju nxorët rrogat, ju nxorët të dhënat personale, ju dhe askush tjetër nxorët të dhënat e punonjësve të SHISH, të Shërbimit Informativ.

Ku e ke vendin ti zonjë që vjen këtu në parlament? Vend në parlament nuk mund të kesh normalisht, ti do e kesh vendin atje ku e meriton, ndaj dhe ça raporti paraqet këtu. Shko te Erisa më mirë, se je me Erisën. Edhe ti një Erisë Fero je në llojin tënd!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat