“S’mund të na ndodhë ajo që po i ndodh opozitës”, Xhafaj: Momenti që mazhoranca të bëjë një reflektim të thellë

Shqipëria

“S’mund të na ndodhë ajo që po i ndodh opozitës”, Xhafaj: Momenti që mazhoranca të bëjë një reflektim të thellë

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 11:15
Ish-ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj

Ish-ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj ka lëshuar deri diku kritika në drejtim të maxhorancës, ndërsa theksoi se duhet reflektim i thellë.

Xhafaj gjatë një interviste për A2cnn i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të tregojë urtësi në orientimin e pushtetit të madh politik që ka në duar Partia Socialiste.

“Ke një realitet politik ku opozita është shumë e dobët, për fatkeqësinë e saj dhe fatkeqësinë e këtij vendi. Edhe për të keqen e kësaj mazhorance sepse nuk ka pasqyrën përballë. I ka dhënë një pushtet të madh që është e pamundur ta kontrollosh me një telefon apo me një individ, cilido qoftë ai, sado supermen të jetë. Nevoja për të reflektuar për këtë përgjegjësi është një gjë shumë e drejtë dhe kryeministri ka bërë shumë mirë. E kam ndjekur me kujdes fjalën e tij në 32 vjetorin e PS dhe i pari që duhet të reflektojë është vetë kryeministri pasi ka përgjegjësinë e lidershipit politik për ta orientuar këtë pushtet të kësaj force politike dhe që të mundet ta mbajë këtë barrë pa kosto shumë të mëdha. Se barra kur dobësohet kurrizi të thyen në mes. Dhe mund të na ndodhi ajo që po i ndodh opozitës”, tha ai.

Sipas Xhafajt, Rama e ka kuptuar se mazhoranca duhet të vijojë të jetë e qëndrueshme në këtë mjedis politik.

“Nga artikulimet që ka bërë kryeministri më lë të kuptoj që është i shqetësuar dhe ndoshta po reflekton. Dhe dua ta shoh që të hedhin ë tavolinë reflektime serioze. Në disa raste nuk ka nevojë për të bërë disa make up të makinës por edhe për ta rinovuar plotësisht. Shpresoj që të ketë urtësinë ta realizojë”, theksoi ai.

Më tej Xhafaj foli rreth rivalitetit të brendshëm në PS, duke theksuar se është i dobishëm në kushtet kur nuk shndërrohet në konflikt.

“Unë mendoj që PS do të vazhdoj të mbetet një forcë e besueshme dhe udhëheqëse në këtë vend sa kohë do ketë harmonizim të mirë të gjeneratave. Sa kohë do t’i integrojë mirë të 3 apo 4 gjeneratat brenda formacionit politik. Dhe rivalitetet dhe konkurrencat e shëndetshme pa u kthyer në konflikt janë të shëndetshme. Edhe ambiciet janë gjëra normale. Brenda PS ka burra e gra që e meritojnë ta kenë këtë ambicie”, u shpreh ish-ministri i Brendshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat