Nga Alma Kaçi te ‘Stela’, vajzat që shantazhojnë në ‘Gjërat tona’

Shqipëria

Nga Alma Kaçi te ‘Stela’, vajzat që shantazhojnë në ‘Gjërat tona’

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 21:31
Safet Gjici dhe Alma Kaçi

Raporte intime të ideuara e të zhvilluara me qëllim final shantazhin, apo zhvatjen nuk kanë qenë të rralla në Shqipëri. Situata të tilla mund të krijohen në moment, por në rastet më të rënda bëhet fjalë për një skenar të mirëfilltë. Përveç dy aktorëve kryesorë, shantazhuesit dhe të shantazhuarit, ata që qëndrojnë pas tyre janë thelbi i historisë. Histori që mund të ketë si qëllim përfitim material apo akoma më keq, dëmtimin deri në shkatërrim të imazhit e karrierës.

Historitë e shantazheve janë të vjetra. Shumë prej viktimave janë nënshtruar dhe kanë paguar, duke humbur miliona. Të tjerë që nuk janë bindur për të dorëzuar paratë, kanë rrezikuar duke humbur familjen, punën e madje nuk kanë munguar as rastet fatale që kanë shkuar deri në vetëvrasje.

Por vit pas viti, me zhvillimin e teknologjisë dhe informacionit, rastet e shantazhit bëhen edhe më të lehta për autorët e po ashtu më të rënda për ata që bien pre e tyre. Rrjetet sociale janë kthyer prej vitesh një burim i mirëfilltë përfitimi nga vajza të ndryshme, apo edhe grupe personash që përdorin këto vajza me qëllim zhvatjen e biznesmenëve, politikanëve, apo personave publikë.

Vetë shantazhi është një formë e rëndë shtrëngimi që i bëhet dikujt për të plotësuar një kërkesë të papranueshme prej tij, duke e kërcënuar se do të zbulohet një e fshehtë që e dëmton. Kërcënim se do të rrezikohet ai vetë apo një i afërm i tij. Është një lloj frikësimi që i bëhet dikujt për ta mposhtur, për ta përkulur dhe për ta detyruar të veprojë në dobi të një tjetri.

Por teknologjia, interneti, tashmë konsiderohen një armë e fortë në duart e grupeve kriminale. Më shumë se për përfitime individuale, vajzat po përdoren nga persona të tretë, që i përkasin botës së krimit, por jo vetëm, në mënyrë që të shantazhojnë persona të caktuar. Ka raste që kryhen thjeshtë për përfitim material, por nuk mungojnë as shantazhe që kryhen për rivalitet në biznes e madje edhe në politikë. E në këto raste situata bëhet edhe më e frikshme.

Shantazhi është një krim, që sipas Nenit 109/b të Kodit Penal, quhet “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë, dënohet me burgim nga 2 deri në 8 vjet dhe me gjobë nga 600 mijë deri në 3 milionë lekë.  Po kjo vepër, kur kryhet duke përdorur a kërcënuar me përdorimin e armës, torturës, akteve çnjerëzore e poshtëruese që kanë shkaktuar dëmtime të shëndetit, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet dhe me gjobë nga 2 milionë deri në 5 milionë lekë. Ndërsa kur vepra penale ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim të përjetshëm dhe me gjobë nga 5 milionë deri në 10 milionë lekë.

Ligji nuk është se nuk e ka ashpërsinë e duhur. E megjithatë duket se shantazhuesit nuk i tremben edhe aq. Të paktën nisur nga rastet e ndodhura vit pas viti.

Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Shtetit, në vitin 2022 kanë ndodhur 37 raste shantazhi dhe janë zbardhur 30 prej tyre. Janë evidentuar 45 autorë, nga të cilët 19 janë arrestuar në flagrancë,  21 ndiqen në gjendje të lirë dhe 5 janë shpallur në kërkim. Ndërsa  për 6-mujorin e vitit 2023, janë evidentuar 24 vepra penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” dhe janë zbardhur të gjitha. Për këto ngjarje janë proceduar 41 autorë, nga të cilët  14 janë arrestuar në flagrancë, 21 ndiqen në gjendje të lirë dhe 6 janë shpallur në kërkim.

16 Qershor 2023

Publikohet video me përmbajtje seksuale në zyrën e Safet Gjicit

Shpërndarja me shpejtësi në rrjet e videos me përmbajtje seksuale, ku shfaqet ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, shkaktoi një serë debatesh. Qëndrimet ishin të ndryshme. Fakti që një veprim i tillë ndodhi në zyrat e shtetit, shkaktoi edhe revoltën më të fortë.

Por ky ishte impakti i parë. Kur situata nisi të shihej më ftohë e në një dimension më të gjerë, ishte edhe vetë veprimi i vajzës, të identifikuar si Alma Kaçi, që shkaktoi një tjetër lloj revolte. E para, përse duhej filmuar një moment i tillë? Qëllimi i këtij filmimi, që nëse e krahasojmë më situata të ngjashme të ndodhura më parë, është shantazhi. Por dhe përfitimi, që në këtë rast implikoi Safet Gjicin fillimisht në shpërdorim detyre e më pas SPAK ngriti edhe akuzën e kurrupsionit.

Për llogari të një hetimi të nisur menjëherë pas publikimit të videos, SPAK sekuestroi kamerat e sigurisë në Bashkinë e Kukësit. Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit qëndruan për 30 minuta në Bashki dhe pasi morën kontakt me punonjësin e IT-së, bënë sekuestrimin e serverit. Përcaktimi i kohës së realizimit të videos ishte pjesë e hetimit, ndonëse në materialin filmik shënohet data 6 qershor ora 16.00.

Reagimi i parë pas publikimit të videos më 16 qershor, erdhi nga Safet Gjici. Me anë të një statusi në “Facebook”, Gjici tha se kishte rënë pre e një kurthi, të “orkestruar” nga kundërshtarët e tij. Ndërsa pranonte se me vajzën në video kishte marrëdhënie intime dhe se ndihej thellësisht i keqardhur për tradhtinë ndaj njerëzve që i kanë besuar votën. Duke u kërkuar ndjesë të gjithë mbështetësve të tij Gjici tha se nderi i jetës së tij u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme. E pas kësaj ndjese publike ai deklaroi edhe dorëheqjen nga detyra e kryebashkiakut.

Një hetim nisi edhe për vajzën që filmoi marrëdhënien seksuale me Safet Gjicin në zyrën e tij. Ekspertë të Policisë konfirmuan se videoja ishte filmuar nga një objekt që vajza e kishte me vete në momentin që u fut në zyrën e kryebashkiakut, por jo nga ndonjë celular. Ndërsa videoja e shpërndarë në rrjet, dukej që ishte filmuar mbi një ekran. Me gjasë, vajza, apo ndonjë bashkëpunëtor i saj, e ka shkarkuar në kompjuter dhe mbi ekranin e tij ka realizuar videon që u bë publike.

SPAK e identifikoi shpejt gruan, e cila banon bashkë me fëmijën ne moshë të mitur në Durrës dhe fillimisht urdhëroi që ajo nuk duhej të linte vendin, pra nuk do të lejohej të udhëtonte jashtë Shqipërisë, për sa kohë që rrëfimi i saj është kyç për hetimin.

Prokuroria e Posaçme po heton edhe aktivitetin e biznesit të Alma Kaçit. Nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, gruaja në fjalë, në vitin 2021 ka themeluar një kompania me qendër në Tiranë, e cila ka si objekt “shërbime konsulence dhe shërbime menaxheriale për biznese të treta”.

Ndërkohë, një vazhdim i videos së publikuar më 16 qershor, u bë publik tri ditë më pas, më 19 qershor. Videoja e re ishte e një cilësie më të qartë, ndryshe nga ajo e mëparshmja. Përveç aktit seksual të shfaqur më herët, në videon e plotë dëgjohej edhe biseda e zhvilluar mes Alma Kaçit dhe Safet Gjicit. Ajo i kërkonte një sipërfaqe toke, ku të ndërtonte një qendër për sterilizimin e qenve të rrugës.

Kaq mjaftoi që përveç shpërdorimit të detyrës, SPAK të niste hetimet edhe për korrupsion. Dhe veprimet nuk u vonuan. Më 24 qershor, u ekzekutuan dy urdhër arreste. “Arrest në burg”, për Safet Gjicin, i akuzuar për korrupsion pasiv dhe “arrest shtëpie” për Alma Kaçin, e akuzuar për korrupsion aktiv.

Dy ditë më vonë, më 26 qershor, Gjykata e Posaçme u komunikoi masat e sigurisë a Gjicit dhe Kaçit. Në seancë Safet Gjici ka mohuar të ketë shkelur ligjin. “U ndëshkova për veprimin që bëra, e mora dënimin për atë gabim. Nuk e kam shkelur ligjin. Nuk e kemi parë atë projekt”, ka thënë ai. Ndërsa ka ritheksuar se ra në kurthin e atyre që nuk e duan. Nga ana tjetër 40-vjeçarja, e cila e mbuloi fytyrën me një çantë edhe kur hyri në Gjykatë edhe kur doli, pretendoi se e kishte takuar edhe me herët Safet Gjicin dhe se ai e kishte ngacmua seksualisht, për këtë shkak në takimin e dytë vendosi ta filmonte.

Ajo thotë se marrëdhënien seksuale e kreu me dëshirë, ndërsa kishte një projekt për qentë. Pas seancës, avokatja e Alma Kaçit tha se kishte kërkuar që ajo të hetohej pa masë, por kërkesa nuk ishte pranuar nga Gjykata.

SPAK po vijon hetimet për rastin pasi ka dyshime se Alma Kaçi nuk ka vepruar e vetme dhe mbetet në pritje të dy akt-ekspertimeve, atë të celularit të 40-vjeçares dhe të dytin për pajisjet me të cilat ajo realizoi videon në zyrën e Safet Gjicit.

E pikërisht në këtë pikë duket se nis një sfidë e SPAK. Vullneti dhe serioziteti për ta çuar deri në fund këtë hetim. Kush është në të vërtetë Alma Kaçi? Kush fshihet pas? Kush e përdori dhe kush kërkoi të shantazhohej Safet Gjici?

Të gjitha të dhënat të çojnë drejt një organizimi nga persona të tretë, të cilët, në rast se do të provohet nga ana e prokurorisë, po ashtu duhen çuar në burg.

Por pyetja kryesore është: A ka arritur SPAK të sekuestrojë videon origjinale dhe objektin me të cilin është kryer regjistrimi? Kjo është prova thelbësore që nëse do të kryenim një paralelizim me rastin Meta – Prifit, çështja u pushua pikërisht për këtë arsye. Prokuroria nuk arriti të gjente videon origjinale për të provuar nëse frekuencat e zërit dhe të pamjeve të shfaqura në videon e bërë publike, përputheshin me ato të videos origjinale. Regjistrimi ishte kryer me një ora, por pamjet origjinale nuk u sekuestruan asnjëherë nga Prokuroria.

Duket se edhe në rastin e videos së regjistruar në zyrën e kryebashkiakut të Kukësit, SPAK do ketë të njëjtën sfidë. Të marrin si provë objektin e përdorur për regjistrim, që deri tani ka të dhëna të arsyeshme që është realizuar nga Alma Kaçi dhe sekuestrimin e pamjeve origjinale të përftuara nga kamera.

Alma Kaçi ka punuar si gazetare lokale në Durrës, ndërsa ka ndjekur një kurs për detektive private, që nuk e ka përfunduar. Mësohet se ka marrë pjesë si e “infiltruar”, të paktën në një rast që është dokumentuar shitja e armëve nga një punonjës Policie, i arrestuar më pas. Sipas të dhënave nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ajo ka pasur një rol aktiv në organizimin e një blerje të simuluar kallashnikovi. Por burime nga policia konfirmojnë se ajo është vetëofruar disa herë për të përgatitur kurthe ndaj personave të ndryshëm që shesin armë.

Këto sa i përket pasionit të saj si “detektive” dhe dëshirës për të bashkëpunuar me Policinë, që herë pas here i është refuzuar. Por pjesa tjetër mbetet e dyshimtë. Ka të dhëna se videoja me Safet Gjicit mund të mos jetë e vetmja. Por gjithçka është në dorë të hetimeve.

Dëshmia e saj është thelbësore. E më thelbësore se kaq është vërtetësia e thënieve të saj. Disa nga deklarimet e saj të dhëna më parë, ashtu sikurse edhe të Safet Gjicit, janë kontradiktore. Dëshmitë e para të të dyve u dukën si një tentativë për të mbuluar diçka.

Marrëdhënia mes tyre u komentua fillimisht si një lidhje intime që kishin prej kohësh, por pas arrestimeve duket se vërtetësia e kësaj marrëdhënie po zbehet. E gjithë kjo histori ka pikëpyetjet dhe misteret e saj. E para lidhet me videon e realizuar për qëllime shantazhi. Nëse Safet Gjici ka qenë në dijeni të kësaj videoje dhe a ka paguar ai për mospublikimin e saj. Në rast se nuk ka qenë ky qëllim, atëherë të gjitha të dhënat të çojnë drejt një grupi të organizuar, që ka përdorur Alma Kaçin për të rrëzuar nga froni e për të denigruar Safet Gjicin. Histori që si shumë të ngjashme nis me qëllim përfitimi por që në momentin kur pamje të tilla bien në dorën e orkestruesve, përfitimi material kalon në plan të dytë. Ajo është një armë që mund të shkatërrojë një karrierë, mund të shkatërrojë familje, por mund të ketë edhe pasoja më fatale se kaq.

E pikërisht kjo është sfida kryesore e Prokurorisë. Të zbulojë e të çojë pas hekurave edhe atë apo ata që kanë realizuar skenarin e kanë përdorur videon, që në këtë rast rrezikon jo pak edhe vetë Alma Kaçin.

31 Gusht 2005

Gjendet e vrarë vajza që denoncoi policët, e përdorën për të shantazhuar biznesmenë

Nuk kanë munguar rastet kur historitë e shantazheve janë mbyllur me fund tragjik jo vetëm për të shantazhuarin, por edhe atë që ka kryer shantazhin. Dikush është vetëvrarë e dikë tjetër e kanë vrarë.

Joana Dudushi, vajza 17-vjeçare nga Vlora, që denoncoi 4 oficerë policie, të cilët e kishin përdorur për të shantazhuar biznesmenë të ndryshëm, u gjet e vrarë buzë detit mbrëmjen e 31 gushtit të vitit 2005. Vajza, që në atë kohë u bë e njohur në media me emrin “Stela”, kishte denoncuar oficerët e Policisë, që sipas saj e detyronin të kryente marrëdhënie seksuale, kryesisht me biznesmenë dhe në momentin e aktit, ata i arrestonin në flagrancë. Vajza lihej e lirë, ndërsa biznesmenët shantazhoheshin nga policët, që të paguanin në mënyrë që të mos ndiqeshin penalisht. Për tre vite me rashë ata i detyronin biznesmenët të paguanin gjoba të mëdha, me qëllim që çështja e tyre të mbyllej e ata t‘i shpëtonin dënimit për akuzën e favorizimit të prostitucionit. Pas denoncimit u zhvilluan disa seanca gjyqësore në ngarkim të oficerëve të policisë, por kjo çështje u mbyll shpejt, pasi për arsye që nuk dihen, vajza tërhoqi denoncimin dhe u kërkoi atyre falje në sallën e gjyqit. Pak kohë më pas ajo u vra nga një person, që sipas hetimeve, nuk kishin lidhje me oficerët e policisë që ajo kishte denoncuar.

Dudushi, nënë e një foshnje disa muajshe, u qëllua me thikë në zemër dhe më pas u hodh në det. Para se të gjendej e pajetë, 17-vjeçarja kishte pranuar publikisht se ishte bashkëpunëtore e Policisë së Shtetit, për të futur në burg njerëz të pafajshëm, për t’i marrë më pas paratë. Efektivët e policisë që jo kishte denoncuar, nuk e pranuan asnjëherë që ajo kishte qenë “spiune e tyre”, madje e akuzonin se ajo kishte ushtruar prostitucion. Ndërsa në lidhje me vrasjen e saj, Policia arrestoi ish-të dashurin e Joanës, Derlin Dervishajn. Ai u dënua për këtë ngjarje me 8 vjet e 4 muaj burg.

Derlin Dervishaj pranoi në atë kohë se e ka vrarë Jonanën me thikë, pas mesazheve bezdisëse dhe kërcënimeve të saj. “Rreth orës 2 të natës më erdhi një mesazh nga Joana, ku më shante mua dhe të dashurën time. Nuk e ruajtja më qetësinë. I thashë të dashurës se do ta rregulloja njëherë e mirë këtë punë dhe u nisa në drejtim të kabinës, megjithëse ajo u mundua të më ndalonte”,  ka rrëfyer në polici Derlin Dervishaj. Tek kabina e plazhit të vjetër kishte takuar Joanën, ku i kishte kërkuar që ta linte rehat. “Në rrugicën ku edhe e vrava, i thashë të më linte rehat, por ajo më tundte letrën, duke më thënë se do të më denonconte. Nuk e përmbajtja dot veten. Nxora thikën që e mbaja gjithnjë me vete dhe e godita disa herë. Nuk mbaj mend se sa”. Më pas, ai ka shtuar se ka ecur në rërë përgjatë bregdetit, ka ngulur thikën fort në tokë, derisa nuk dukej më. “Ika në shtëpi, ku u lava dhe u mundova të qetësohesha, por në mëngjes erdhi e më kërkoi një polic. Menjëherë e kuptova se gjithçka do të zbulohej”.

Historia e “Stelës”, realizohej në një kohë kur nuk kishte rrjete sociale e spartphone. Shantazhi kryhej në forma të tjera. Në rastin e saj përmes punonjësve të Policisë, që kishin si qëllim zhvatjen dhe jo denigrimin e biznesmenëve që detyroheshin të paguanin gjobat e majme.

Ndërsa sot, situata ndërlikohen edhe më shumë. Ai që bie në rrjetën e grupeve të tilla, që përdorin femra për shantazh, apo thjeshtë shantazhohen personalisht nga vajza që kërkojnë të zhvasin para, nuk kanë asnjëherë siguri. Një foto intime, apo një video, mund të publikohet nga momenti në moment nëse ata nuk binden të paguajnë sa herë që u kërkohet. Madje në disa raste, nuk ke siguri edhe nëse paguan, pasi qëllimi final i autori autorëve mund të jetë denigrimi.

I tillë ishte rasti i një biznesmeni nga Elbasani disa vite më parë, i cili hyri në një lidhje virtuale përmes rrjeteve sociale me një studente nga Vlora. Fotot intime që ata shkëmbyen me njëri-tjetrin përmes “Facebook”, i kushtuan gjithë pasurinë biznesmenit, vetëm e vetëm që bashkëshortja e tij të mos merrte vesh asgjë. Dhe në fund, kur humbi gjithçka, ai kaloi në depresion të rënduar. Vajza u dënua në mungesë, por nuk u ndalua asnjëherë nga Policia.

Nisur nga raste të tilla, që vit pas viti vijnë në rritje, madje duke përfshirë edhe adoleshentë, Policia herë pas herë u është drejtuar qytetarëve që të kenë kujdes në komunikimet që zhvillojnë në rrjete sociale.

24 Mars 2017

Policia e Tiranës paralajmëron meshkujt të bëjnë kujdes gjatë komunikimeve në rrjetet sociale

Policia e Tiranës ka paralajmëruar meshkujt shqiptarë të bëjnë kujdes nga femrat e huaja që njohin në internet dhe marrëdhëniet intime me to para kamerave, pasi një 40-vjeçar nga Tirana ka rënë pre e shantazhit prej njërës prej tyre. Një rast i tillë është regjistruar në Drejtorinë e Policisë Tiranë duke treguar, kur një burrë, më 24 mars të vitit 2017 denoncoi se ndihej i shantazhuar nga një shtetase e huaj që kishte njohur në rrjetet sociale, pasi kjo e fundit i bënte presion rreth një video intime që kishin bërë së bashku.

Fillimisht biseda mes tyre kishte nisur nëpërmjet “Facebook”-ut duke i treguar njëri-tjetrit se pëlqeheshin dhe raporti mes tyre vijoi me kamera. Kjo video seksuale ishte regjistruar ndërkohë nga vajza në fjalë dhe më pas ajo e përdori këtë skenë duke e shantazhuar dhe kërkuar shuma parash në këmbim që të mos e publikonte në internet. Ajo i dërgonte llogarinë bankare në mënyrë të tillë që paratë të transferoheshin brenda afatit të caktuar. Duke marrë shtysë nga ky rast, Policia apelon herë pas herë që çdo qytetar të tregohet më i vëmendshëm nga personat e panjohur që u bëjnë kërkesë miqësie në rrjetet sociale dhe të jenë të kujdesshëm kur ftojnë të bëjnë skena intime online.

Ndërsa një specialist i Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit, tregonte se personat që hapin më shumë adresa false dhe i përdorin ato për arsye përfitimi janë femrat. Ai tregonte se shantazhet kryhen në momentin që personat që përdorin këto adresa marrin në dorë video apo foto intime të “viktimave” të tyre. Sipas tij, autorët u kërkojnë të dëmtuarve shuma të konsiderueshme parash, në mënyrë që të mos ua dërguar foton apo videon miqve të tyre. Pjesa më e madhe e të dëmtuarve janë meshkuj të njohur, biznesmenë, politikanë, artistë apo njerëz të tjerë publikë.

Një ndër veprat më të përhapura është kur një person i caktuar apo edhe anonim hap një adresë false. Zakonisht, personat që hapin këto adresa janë femrat simpatike, shtetase shqiptare, por ka edhe shtetase të huaja. Më të dëmtuarit janë meshkujt. Femrat që hapin adresat false fillojnë e komunikojnë me personat e seksit mashkull deri në momentin që u marrin atyre fotot intime. Grupmosha më e prekur është 30-45 vjeç.

E njëjta thirrje e Policisë u përsërit edhe në fund të vitit 2020.

Policia theksonte se shantazhet në rrjet nuk janë më situata të reja, me të cilat përballen qytetarët dhe strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit. Kohët e fundit është vënë re një shtim i rasteve të qytetarëve që janë prekur nga këto vepra penale duke krijuar shqetësim si për ata që janë të prekur drejtpërdrejt ashtu dhe për familjet e tyre.

Përdoruesit anonimë, të cilët nga rastet e deritanishme rezultojnë shtetas të huaj, krijojnë profile duke përdorur emra të rremë që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht që të lënë të kuptosh se janë emra qytetarësh shqiptarë. Pasi hapin këto profile, autorët krijojnë miqësi pas miqësie duke u bazuar në njohjet që krijohen nga profilet e rrjeteve sociale në mënyrë që të bëhen të besueshëm dhe po në të njëjtën kohë targetojnë viktimat e tyre.

Pasi krijohet besimi tek miqtë që kanë krijuar se profili i hapur i përket rrethit të tyre të njohjeve fillojnë të dërgojnë mesazhe me qëllim që të krijojnë komunikime private. Komunikimi ndërpritet kur autorët mësojnë të dhëna personale dhe të dhëna të cilat do të krijonin shqetësime për të prekurit nga këto miqësi të rreme.

Pas kësaj autori fillon të shantazhojë personin me bërjen publike të të dhënave të marra duke shfrytëzuar dhe njohjet që ka personi në rrjetet sociale. Për të ndaluar shantazhin dhe për të fshirë të dhënat që ka zotëruar, autori i kërkon personit vlera të ndryshme monetare që duhet t’i dërgohen atij nëpërmjet kompanive të ndryshme financiare.

Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal. Aktualisht, sipas evidentimeve që Njësia “C” disponon, personat e prekur janë të moshave të ndryshme duke mos u fokusuar në grup mosha të veçanta.

Policia u bënte thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të bëjnë kujdes për sa i përket komunikimit në rrjet dhe për këtë të zbatojnë me korrektësi disa masa sigurie gjatë komunikimit, të cilat janë:

Të mos japin të dhëna personale apo të dhëna sensitive që u përkasin atyre;

Të mos komunikojnë me profile që janë në rrethin e tyre të njohjeve, por që nuk kanë komunikuar kurrë më parë me ata;

Të sigurohen që profilet u përkasin emrave realë të personave që përfaqësojnë;

Të kenë parasysh që autorët mund të veprojnë në mënyra të ndryshme për të joshur apo për të marrë të dhënat që kërkojnë, me qëllim përdorimin e tyre në një kohë të mëvonshme.

Përgjithësisht, në Shqipëri ka pasur shumë raste meshkujsh publikë me privatësi të thyer. Meshkuj që shantazhohen për t’u zhvatur e meshkuj që shantazhohen për t’u denigruar. Tani që teknologjia ka avancuar, edhe ligji duhet të avancojë. Evolucioni i rrjeteve sociale, i teknikave të përgjimit e spiunimit, duhet të sjellin herë pas herë ndryshime ligjore. Interneti është kthyer në një armë shkatërruese për karrierën, familjen dhe personalitetin e një njeri që në fund të fundit sado publik të jetë, ka dhe një jetë private.

Përgjimi tashmë kryhet me shumë lehtësi dhe pa u kuptuar. Me mjete që askujt nuk mund t’i shkojë ndërmend që mund të ketë një kamera të instaluar brenda.

Implikimi i zyrës apo i ambienteve publike, ka tjetër kuptim, pasi në këtë moment nuk kemi të bëjmë më me jetë publikë dhe private, pasi situata merr kuptim ligjor. Por dhe për raste të tilla, duket se ka grupe të caktuara që kur nuk kanë asnjë armë tjetër për të rrëzuar një person të fortë, përdorin një femër që ta fusin në kurth e më pas nis shatnazhi. Dhe në situata të tilla ngjarja komplikohet edhe më shumë. Nuk dëmtohet vetëm karriera, familja apo personaliteti. Në raste të tilla ndodh që të shtrëngohen edhe prangat në duar, ashtu si Safet Gjicit.

Por a duhet mbyllur një çështje vetëm me kaq? A mund të ngushtohet rrethi i përgjegjësisë vetëm tek dy persona? Duket se asgjë nuk është kaq e thjeshtë sa ç’duket. Vajzat që shantazhojnë, duhet të përgjigjen para ligjin, në masën e tij më të ashpër. Një mendjelehtësi dikujt i kushton gjithçka. Dëmi që mbetet pas ndodh që është aq i madh sa nuk ka burg që ta kompensojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat