Ambasadorët e rinj të Shqipërisë/ Kanushi i SHISH bëhet diplomat, bashkë me Petrit Malajn

Shqipëria

Ambasadorët e rinj të Shqipërisë/ Kanushi i SHISH bëhet diplomat, bashkë me Petrit Malajn

Më: 16 korrik 2023 Në ora: 16:01
Edi Rama

Një aktor i njohur dhe një drejtues i shërbimit sekret, ndodhen në listën e 12 emrave të rinj, të cilët qeveria i propozon për ambasadorë të Shqipërisë. Petrit Malaj, i cili ka nisur herët një karrierë politike pranë Edi Ramës, pasi nuk e çoi dot rrugën për të hyrë në parlament si deputet i Tropojes, ka marrë besimin e kryeministrit për të qenë ambasadori ynë në Kosovë.

Qemal Minxhozi do ta lërë këtë detyrë, në kulmin e një marrëdhënieje të krisur thellë, mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, të cilëve nuk ju funksionojnë më jo vetëm linjat diplomatike, por siç thotë edhe shefi i qeverisë sonë, as Whatsapp-i.

Në të njëjtën listë, ndodhet edhe propozimi i Ramës për një ambasador të ri në Serbi. Por në këtë shtet, Rama nuk ka zgjedhur si për Prishtinën një aktor. Në Beograd do të shkojë diplomati i karrierës, Bardhyl Canaj, i cili ka shërbyer në Izrael.

Në listën e ambasadorëve të rinj, bie në sy edhe Oljan Kanushi. Ish këshilltar i Ramës, që aktualisht është numri dy i shërbimit informativ shtetëror. Ai propozohet për të shërbyer në Slloveni.

Krahas tij, Genc Pecani dërgohet për një mision diplomatik delikat. Ambasadori i karrierës, propozohet për në Rusi. Lista tjetër e dërguar në Kuvend, mbizotërohet nga diplomatë karriere, dhe promovime brenda sistemit, ndryshe nga grupi i parë, ku Rama bëri ambasadorë ish-deputetë apo bashkëpunëtorë të tij të afërt.

Kandidatët do të dëgjohen nga Komisioni i Politikës së Jashtme në Kuvend, e më pas do të dërgohen për firmë tek Presidenti Bajram Begaj.

AMBASADORËT E RINJ

Petrit Malaj Kosovë
Oljan Kanushi Slloveni
Bardhyl Canaj Serbi
Genc Pecani Rusi
Qirjako Qirko Hungari
Artur Kuko Holandë
Albana Dautllari Suedi
Mimoza Halimi Poloni
Sokol Dedja Danimarkë
Inid Milo Bullgari
Entela Gjika Spanjë
Ilir Hysa Kuvajt

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat